Sun, Jul 20, 2025

Plagosja e dyfishtë në Sarandë, forcat e Operacionales, FNSH-së dhe Shqiponjave në aksion për kapjen e Ramadan Zotos

  • PublishedJuly 20, 2025

Plagosja e dyfishtë në Sarandë, forcat e Operacionales, FNSH-së dhe Shqiponjave në aksion për kapjen e Ramadan Zotos

Rreth 50 forca policore nga Tirana, Vlora e Saranda po zhvillojnë prej disa orësh një operacion për kapjen e 43-vjeçarit të shumëkërkuar, Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj.

I kërkuari është autor i tentativës së goditjes me armë së dy personave ditën e enjte, ndaj të cilëve hapi zjarr 4 herë duke i lënë të plagosur në një rrugë kryesore të lagjes nr.4 në Sarandë. Kontrollet e forcave operacionale, FNSH dhe “Shqiponja” kanë zhvilluar ditën e djeshme në fshatin Gjashtë dhe sot në orët e para në disa banesa në rrugën “Butrinti” në Sarandë, por pa sukses.

Ramadan Zoto i njohur si Dane, plagosi me pistoletë Gëzim Hajdaraj 33 vjeç dhe Ernest Lama 25 vjeç, të dy nga Kamza, pas një konflikti të mbartur. Edhe Hajdaraj ishte gjithashtu i armatosur por nuk arriti të kundërpërgjigjej. Dy të plagosurit u transportuan në gjendje të rëndë me helikopter drejt Tiranës.

Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj, konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë në Shqipëri e Greqi. Emri i tij përmendet për herë të parë si dëshmitar në një ngjarje të vitit 1997, kur një i ri nga Saranda u përplas me armë me një efektiv policie në tregun e qytetit.

Në prill 2005 ai vrau me armë zjarri shqiptarin Pushkin Kuspa në Athinë, ndërsa 3 vite më pas shkëmbeu zjarr me policinë greke. Në Greqi rezulton i përfshirë edhe në grabitje me armë. Në 2019 u kap me një automjet të vjedhur, armë e drogë në Athinë, ndërsa pas daljes nga burgu u zhvendos në Sarandë.

Në Shqipëri rezulton i proceduar një herë për “prishje të qetësisë publike” dhe i arrestuar më pas për “goditje për shkak të detyrës.”

Bashkë me Zoton, policia kërkon edhe 3 persona për “përkrahje të autorit të krimit”. Njeri është vëllai i tij, Erjon Canaj 36 vjeç dhe dy shokët Artan Murtaj 43 vjeç dhe Klaus Jaçaj 31 vjeç, të tre me precedentë të ndryshëm penalë.