Asllani prioritet i Piolit, por Inter nuk bën “skonto”, vlera e kartonit “tremb” Fioren
Piero Ausilio, drejtori sportiv i Inter, i bëri dalje publikisht Asllanit, duke këshilluar këtë të fundit të largohet nga Milano, pas 3 vitesh mesfushori kuqezi nuk bën pjesë më në planet e klubit. Në këtë pikë, Asllani dhe përfaqësuesit e tij po shohin tregun, po vlerësojnë ofertat që kanë ardhur këtë periudhë për të gjetur një sistemim të ri.
Për Asllanin ka disa admirues në Serie A, pasi mesfushori nuk dëshiron të largohet nga Italia, por problem në këtë pikë është kërkesa e Inter, me zikaltërit që e vlerësojnë kartonin e tij me 18-20 milionë euro. Fiorentia është ekipi që po ndjek nga pranë situatën e futbollistit shqiptar, pasi trajneri Stefano Piolo e vlerëson shumë mesfushorin kuqezi. Ekipi vjollcë po riformaton ekipin, ku ndryshimet më të mëdha prekin mesin e fushës. Asllani është dëshira e parë e Piolit, por kërkesa prej 18-20 milionë euro e Interit vlerësohet si e lartë nga drejtuesit e Fiorentinës.
Me Asllanin që ka vendosur kusht qëndrimin në Serie A, mbetet për t’u parë se si do të vijojnë negociatat mes dy klubeve. Në Serie A, Asllani ka edhe admirues të tjerë si Bologna apo Torino, por edhe në këtë pikë, pengesë mbetet vlera e tij e kartonit. Kujtojmë që Asllani ka një kontratë me Inter deri në 2028.
()