Tue, Jul 22, 2025

Hetimet për inceneratorin e Elbasanit: Gati arrestime për zyrtarë lokalë, në fokus zv.kryetarë bashkish dhe drejtues financiarë

  • PublishedJuly 21, 2025

Hetimet për inceneratorin e Elbasanit: Gati arrestime për zyrtarë lokalë, në fokus zv.kryetarë bashkish dhe drejtues financiarë

Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po finalizon një hetim të thelluar për abuzim financiar me inceneratorin e Elbasanit dhe kompaninë koncesionare ECO-ELB. Pas 14 kontrolleve në banesa të zyrtarëve dhe personave të përfshirë, hetimi ka hyrë në fazën vendimtare dhe pritet të lëshohen urdhër-arreste në ditët në vijim.

Në fokus të hetimeve janë:

• Administratori i “ECO-ELB”, Leli Kraja

• Zëvendëskryetarë bashkish në qarkun Elbasan

• Drejtorë juridikë dhe financiarë, të dyshuar për lidhje të drejtpërdrejta me procesin e pagesave dhe menaxhimin e kontratave

Akuzat:

• Shpërdorim detyre

• Keqmenaxhim i mbetjeve

Hetimi është hapur në vitin 2024 dhe ka përfshirë deri tani 43 persona të marrë në pyetje. Sipas burimeve zyrtare, janë verifikuar marrëdhëniet institucionale dhe financiare mes kompanisë “ECO-ELB” dhe tetë bashkive të qarkut Elbasan, për pagesa që dyshohet se janë bërë për shërbime të pakryera ose të kryera pjesërisht.

Disa nga të dhënat e transaksioneve:

• Bashkia Gramsh: 72 transaksione – 209 milion lekë të vjetra

• Bashkia Librazhd: 65 transaksione – 265 milion lekë të vjetra

• Bashkia Prrenjas: 71 transaksione – 223 milion lekë të vjetra

• Bashkia Cërrik: 71 transaksione – 308 milion lekë të vjetra

Në fokus është verifikimi nëse këto pagesa janë bërë në përputhje me kontratat dhe për shërbime të realizuara realisht, apo janë pjesë e një skeme abuzive të koordinuar mes zyrtarëve dhe kompanisë.

Pse hetimi u thellua?

Në qershor 2025, landfilli i Elbasanit u përfshi nga flakët për disa ditë, duke shkaktuar ndotje masive të ajrit dhe alarm publik. Kjo ngjarje ekspozoi problemet e funksionimit të inceneratorit dhe ngriti pikëpyetje serioze për kapacitetet reale të shërbimit.

Zyrtarët që kanë firmosur kontratat dhe urdhëruar pagesat janë objekt kryesor i verifikimeve, ndërsa burime të sigurta pranë hetimit konfirmojnë se lista e personave nën hetim pritet të zgjerohet.

Kjo është një tjetër goditje për skemën e inceneratorëve, që tashmë është kthyer në simbolin e abuzimit me fondet publike në sektorin e mbetjeve, me pasoja të drejtpërdrejta për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.

Prokuroria e Elbasanit pritet të lëvizë me masa konkrete brenda ditëve në vijim. Arrestimet janë në prag.