“Jemi Atdheu i plagjiaturës” – Rama: Doktoraturat ishin kot, i mbyllëm me të drejtë! Shpresoj që doktorantët e rinj të mos jenë berberë
Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me problemin e plagjiaturës në arsimin e lartë, duke pranuar hapur se Shqipëria është kthyer në “Atdheun e plagjiaturës” dhe se kjo është një plagë ende e paadresuar seriozisht.
“Plagjiatura është fakt, jo opinion. Kjo është një çështje që mbeti pa u adresuar, ndryshe nga shumë të tjera. E dimë shumë mirë që jemi Atdheu i plagjiaturës, s’e fshehim dot,” tha Rama.
Duke iu referuar debatit të viteve të fundit dhe paktit për universitetin, Rama tha se i vetmi element që nuk mori zgjidhje është pikërisht plagjiatura, për të cilën mungon një qasje e qartë dhe institucionale.
Ai komentoi edhe vendimin për të mbyllur për një periudhë të gjatë programet e doktoraturës, duke e quajtur një hap të domosdoshëm për të ndalur prodhimin e titujve boshe:
“Patjetër që i bëmë një mbyllje doktoraturave, se më mirë djepi bosh se shejtani brenda. Doktoratura kot. Tani kanë rifilluar, me shpresën që disa gjëra janë vënë në vijë.”
Megjithatë, Rama nuk e fshehu skepticizmin për cilësinë e brezit të ri akademik:
“Sot i kemi në proces doktorantët e rinj. Shpresoj të jenë vërtet doktorantë, jo berberë!”
Ai theksoi se ndërkombëtarizimi i arsimit ka nisur, por Shqipëria është ende shumë larg standardeve dhe ambicia duhet të jetë shumë më e madhe.
“Nëse nuk pranojmë që jemi larg, nuk kemi për të ecur përpara. Duhet të shpikim çdo ditë, përndryshe nuk e çojmë dot punën me shpejtësi,” përfundoi kryeministri.