Tue, Jul 22, 2025

Bankers paralajmëron padi arbitrazhi ndaj Shqipërisë

  • PublishedJuly 22, 2025
Bankers paralajmëron padi arbitrazhi ndaj Shqipërisë

Kompania kërcënoi në një deklaratë për shtyp se do t’i drejtohet gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit për mbrojtjen e investimeve të huaja, duke sugjeruar se veprimet hetimore të Prokurorisë së Fierit janë joproporcionale dhe se operacionet e saj në Shqipëri janë të rrezikuara.

Kompania, e cila ka rezultuar me humbje të vazhdueshme që nga viti 2004 kur u themelua, ka një drejtues dhe një ish-drejtues të arrestuar nën dyshimin e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.

“Kompania aktualisht po vlerëson të gjitha rrugët ligjore ndërkombëtare të disponueshme, duke përfshirë procedimet tek institucionet ndërkombëtare të investimeve dhe arbitrazhit sipas Rregullave të IË-së, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të saj si investitor i huaj dhe ruajtjen e sigurisë ligjore të operacioneve të saj,” deklaroi kompania në njoftimin për shtyp.

Kompania bëri të ditur gjithashtu se ka sekuestruar sende personale dhe të punës të disa prej punonjësve të saj si dhe ka mbajtur nën mbikëqyrje komunikimet elektronike të tyre si pjesë e hetimit. Ajo i cilësoi këto veprime hetimore si të tilla që “ngrenë shqetësime serioze mbi procedurat dhe proporcionalitetin”.

Drejtuesi i Bankers dhe ish-drejtori i përgjithshëm, , u arrestuan nën akuzat e mashtrimit, pastrimit të parave dhe abuzimit me detyrën ndërsa katër persona u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, drejtuesit e Bankers akuzohen se kanë fryrë shpenzimet e kompanisë përmes transferimit të parave në palë të lidhura apo me kontrata të dyshimta, gjë që ka sjellë nxjerrjen e kompanisë më humbje dhe mospagesën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit. Sipas ligjit aktual, kompanitë e naftës mundet të arrijnë marrëveshje me autoritetet shqiptare me qëllim që të nxjerrin naftë në operacione private, por në këtë rast, tatimi mbi fitimin është në masën 50%.

Që nga themelimi në vitin 2004, kompania ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë ndërsa ka deklaruar shpenzime në masën 684 miliardë lekë, duke i shtyrë prokurorët të pyesin se cili është motivimi që pronarët e kompanisë vijojnë operacionet kur kompania del në vijimësi me humbje si dhe të ngrenë dyshime nëse pronarët, të cilët mbeten të panjohur, kanë gjetur mënyra alternative për të transferuar fitimet nga kompania.