Botëror për Klube çdo dy vite? Shtohet presioni mbi FIFA-n
Edicioni i parë i Botërorit për Klube, i zhvilluar në Amerikë, ishte një sukses i vërtetë, të paktën për organizatorët, por me nota pozitive u vlerësua edhe nga pjesa më e madhe e ekipeve pjesëmarrëse. Përtej kalendarit të ngjeshur, lodhjes së lojtarëve etj, në fund ato që kanë rëndësi janë paratë, dhe fakt është që ky Botëror gjeneroi shifra marramendëse për FIFA, por dhe për klubet, pasi qeveria e futbollit botëror shpërndau për ekipet pjesëmarrëse afro 1 miliardë euro.
Kjo ka bërë që në zyrat e FIFA të qarkullojë ideja e riformatimit të këtij turneu, po shqyrtohet mundësia që Botërori për Klube të zhvillohet një herë në dy vite, jo një herë në katër vite siç është aktualisht.
ESPN ka zbuluar se përfaqësues të disa klubeve evropiane, me në krye Real Madrid, dhe disa ekipe latine, që ishin të pranishëm në këtë Botëror, kanë zhvilluar takime formale me përfaqësues të FIFA pikërisht për këtë ide, për të zhvilluar Botërorin për Klube një herë në dy vite. Sigurisht dëshira për të fituar më shumë para tundon jo vetëm ekipet por edhe FIFA-n, por për të zhvilluar një turne të tillë një herë në dy vite nuk është aspekt e lehtë edhe në aspektin logjistik, atë të organizimit. Kjo ide ka ndezur menjëherë alarmin në zyrat e UEFA-s me këta të fundit që publikisht janë kundër një organizimi të tillë.
Për momentin as FIFA nuk është gati për një ndryshim të menjëhershëm pasi ideja e tyre është të zhvillojnë një tjetër turne të suksesshëm në 2029. Për momentin Katari është kandidati favorit pasi sheikët kanë mundësi ekonomike për të organizuar një turne kaq të madh.
()