Fri, Jul 25, 2025

Franca i bën thirrje BE-së për më shumë vendosmëri ndaj tarifave të Trump

  • PublishedJuly 22, 2025

Franca i bën thirrje BE-së për më shumë vendosmëri ndaj tarifave të Trump

Ministri francez i Industrisë, Marc Ferrazzi, i kërkon Bashkimit Evropian të tregojë më shumë “muskuj” në negociatat tregtare me SHBA, pas paralajmërimit nga administrata Trump për tarifa 30% mbi produktet evropiane.

Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të Industrisë në Paris, Ferrazzi tha se Evropa duhet të mbajë tavolinën e dialogut hapur, por të jetë gati edhe për një qasje më të ashpër.

“Pozicioni i Evropës duhet të jetë ai i negociatave, por edhe ai i vendosmërisë,” deklaroi ai.

Ministri pranoi se bisedimet që zgjasin prej mbi tre muajsh nuk e kanë zbutur Uashingtonin; përkundrazi, retorika amerikane është forcuar. “Prandaj, ne duhet të ndryshojmë metodën tonë,” shtoi Ferrazzi, duke përmendur opsionin e kundërmasave ndaj tarifave të mundshme.

Në takim morën pjesë përfaqësues të industrive strategjike, sindikatave dhe shoqatave të punëdhënësve. Ata miratuan një deklaratë të përbashkët drejtuar BE-së, ku kërkohet një marrëveshje e ekuilibruar përmes negociatave.

Ferrazzi paralajmëroi se zbatimi i tarifave 30% do të kishte pasoja serioze:

“Disa sektorë kanë folur për një rrezik fatal nëse këto tarifa zbatohen,” u shpreh ai, duke shtuar se industria franceze do të qëndrojë e bashkuar.

Megjithatë, burime nga salla thonë se jo të gjithë janë në një mendje: disa përfaqësues të industrisë druhen më shumë nga pasojat e kundërmasave të BE-së sesa nga vetë tarifat e Trump.