I akuzuar se ka vjedhur mbi 1 miliard dollarë nga buxheti i shtetit, arrestohet në Greqi ish-lideri i Partisë Demokratike i Moldavisë
Vladimir Plahotniuc, ish-kreu i Partisë Demokratike të Moldavisë dhe një nga figurat më të fuqishme të viteve të fundit në politikën moldave, është arrestuar në Greqi, sipas një deklarate zyrtare të Policisë së Moldavisë.
“Pak më parë, përfaqësuesit zyrtarë të Interpolit në Athinë na informuan se dy shtetas moldavë janë arrestuar. Njëri prej tyre është Vladimir Plahotniuc,” thuhet në njoftim.
Kreu i Policisë Kombëtare të Moldavisë, Viorel Cernăuțeanu, konfirmoi se arrestimi ndodhi të martën në mëngjes, rreth orës 04:30.
“Të dy personat po kalonin tranzit përmes Greqisë, me destinacion Dubain,” tha ai për televizionin TV8. Cernăuțeanu nuk zbuloi identitetin e personit të dytë, por sipas burimeve të TV8, bëhet fjalë për ish-deputetin demokrat Konstantin Țuțu.
Plahotniuc u largua nga Moldavia në qershor të vitit 2019, pas humbjes së pushtetit. Më pas, ndaj tij u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar, i akuzuar për pastrim parash që rrjedhin nga aktivitete të paligjshme, përfshirë një skandal financiar përmes të cilit janë zhdukur mbi një miliard dollarë nga sistemi bankar moldav, gjatë viteve 2013-2015.
Edhe pse avokatët e Plahotniuc kanë mohuar akuzat, autoritetet moldave kanë arritur të sekuestrojnë disa pasuri të tij, përfshirë një vilë në Zvicër dhe një shtëpi pushimi në Alpe.
Më 7 shkurt 2025, emri i Plahotniuc u rikthye në listën ndërkombëtare të personave të kërkuar nga Interpoli, pas një rishqyrtimi të mëparshëm refuzues.
Në fund të muajit, ai u lokalizua në një hotel luksoz në Dubai, por vetëm tani u realizua arrestimi i tij, teksa tentonte sërish të arrinte në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, Prokuroria e Moldavisë ka hapur disa dosje penale kundër ish-politikanit, i cili dikur kishte ndikim të jashtëzakonshëm në politikën dhe biznesin moldav.
Ai akuzohet për mashtrim në përmasa të mëdha, pastrim parash, krijim dhe drejtim të një organizate kriminale, pasurim të paligjshëm, shpërdorim të pushtetit, korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh zyrtare.
Në fund të marsit, oligarku moldav përfitoi dokumente identifikimi meksikane. Sipas një hetimi të gazetës Ziarul de Gardă në Kishinau, këto dokumente rezultojnë të jenë të falsifikuara dhe u dërguan nga Meksika në emër të një gruaje të re nga Rusia, Irina Ustina, e cila jeton në Dubai.