“Ka ardhur koha të ndiqet penalisht” – Trump shpërthen ndaj Obamës: Ishte kryetari i bandës së komplotit në krimin më të madh politik!
Donald Trump ka akuzuar ashpër paraardhësin e tij Barack Obama, duke e quajtur “kryetar bande” dhe duke e akuzuar për tradhti, komplot dhe përfshirje në atë që ai e cilëson “krimi më i madh politik” në historinë amerikane.
Deklaratat erdhën gjatë një interviste në Zyrën Ovale. Trump u pyet fillimisht për çështjen e Jeffrey Epstein, por e devijoi bisedën drejt një sulmi frontal ndaj Obamës.
Sipas Trump-it, Obama ka qenë në qendër të nisjes së hetimit për ndërhyrjen e mundshme ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 – hetim që Trump prej kohësh e ka denoncuar si politikisht të motivuar dhe të fabrikuar për ta goditur presidencën e tij. Ai pretendoi se në këtë “komplot” kanë qenë të përfshirë edhe Joe Biden, ish-drejtori i FBI-së James Comey, ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare James Clapper dhe ish-shefi i CIA-s John Brennan. “Të gjithë pjesë e komplotit. Obama ishte kryetari i bandës… Ai është fajtor,” tha Trump.
Trump shtoi se dokumente të deklasifikuara nga komuniteti i inteligjencës amerikane – të cilave ai iu referua pa paraqitur prova konkrete gjatë intervistës – sipas tij mbështesin akuzat për përfshirjen e Obamës. Ai i përshkroi këto zhvillime si “krimi më i madh politik”.
“E saktë apo e gabuar, ka ardhur koha të ndiqen penalisht disa njerëz,” përfundoi Trump, duke sinjalizuar se administrata e tij mund të shtyjë për ndjekje penale figurat kyçe të ish-administratës Obama-Biden