Tue, Jul 22, 2025

Përzgjedhja e kreut të BKH-së, SPAK përmbyll sot fazën e tretë të procesit! Kandidatët i nënshtrohen një provimi me shkrim dhe arsyetimi logjik

  • PublishedJuly 22, 2025

Përzgjedhja e kreut të BKH-së, SPAK përmbyll sot fazën e tretë të procesit! Kandidatët i nënshtrohen një provimi me shkrim dhe arsyetimi logjik

SPAK ka përmbyllur sot fazën e tretë të procesit të përzgjedhjes për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në këtë fazë, shtatë kandidatët e kualifikuar iu nënshtruan një provimi me shkrim që përfshinte një ese dhe një test për arsyetimin logjik. Testimi zgjati gjithsej 1 orë e 45 minuta, 60 minuta për esenë dhe 45 minuta për testin e logjikës, me një total prej 60 pikësh, nga 30 pikë për secilin komponent.

SPAK bën me dije se procesi u mbikëqyr nga anëtarët e Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhgues ndërkombëtarë dhe staf teknik mbështetës, duke garantuar transparencë dhe integritet në vlerësim.

Kandidatët që do të kualifikohen pas kësaj faze do të kalojnë më tej në testin e poligrafit dhe intervistën me panel, përpara se t’i nënshtrohen verifikimit të figurës dhe kontrollit të pasurisë.

Kandidatët në garë për drejtimin e BKH janë:

  • Andi Pogaçe
  • Artur Beu
  • Elton Kërluku
  • Gentian Ndoi
  • Gentjan Shehaj
  • Gledis Nano
  • Joni Keta

Njoftimi i SPAK

Faza e tretë e procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së – Testi me shkrim

Në përputhje me ligjin nr. 95/2016, sot u zhvillua faza e tretë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.

Shtatë kandidatët e kualifikuar nisën testin në orën 11.00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.

Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.

Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës.

Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të rendisë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.

Testi i ardhshëm është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.