Apeli i Posaçëm prish vendimin për Alqi Bllakon, çështja rikthehet për gjykim me trupë të re
Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të prishë vendimin e Shkallës së Parë për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako, duke rikthyer çështjen për gjykim me një trupë tjetër gjyqësore.
Vendimi u shpall më 23 korrik 2025, pas ankimimeve të paraqitura si nga SPAK, ashtu edhe nga vetë i pandehuri. Bllako është dënuar më herët me 4 vite burg, i akuzuar për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça dhe Tereza Merkaj, është vendosur:
“Prishja e vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke u urdhëruar dërgimi i akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.”
Çështja tashmë do të rihapet dhe do të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.