Elbasani, nis lufta për një fanellë titullari. Tri afrimet duhet të spostojnë emrat e lojtarëve të konsoliduar
Elbasani ka nisur fazën përgatitore në Greqi me një qëllim të qartë: ndërtimin e një grupi konkurrues për sezonin e ri në Superiore.
Por përveç ngarkesës fizike dhe miqësoreve që do të shërbejnë si provë, kjo periudhë do të jetë mbi të gjitha një test i rëndësishëm për tri nga afrimet e merkatos verdheblu: portieri çek, Martin Janaçek, mesfushori Donart Ibraimi dhe sulmuesi izraelit, Roi Ben Shimon. Të tria këto përforcime janë lojtarë me potencial, por ende të panjohur për trajnerin Ivan Gvozdenoviç dhe për grupin ekzistues.
Në thelb, kjo fazë në Greqi është më shumë sesa një përgatitje klasike. Ajo është një filtër për ata që duan të jenë pjesë aktive e projektit të Elbasanit në elitë. Për Janaçek, Ibraimin dhe Ben Shimon, çdo minutë në fushë është një provë. Çdo ditë stërvitore është një mesazh që duhet dhënë. Nëse nuk arrijnë të bindin në këtë periudhë, rrezikojnë ta nisin sezonin nga stoli.
PËRSHTATJA, SFIDA E PARË Asnjëri prej tyre nuk është aktivizuar më parë në futbollin shqiptar, ndaj përshtatja me stilin e lojës dhe ambientin e ri do të jetë prova më e madhe. Faza në Pyolemada është një mundësi ideale për stafin teknik për t’i parë nga afër në një kontekst loje dhe për të vlerësuar nëse mund të jenë pjesë e formacionit bazë. Miqësoret që do të zhvillohen gjatë qëndrimit në Greqi do të kenë pikërisht këtë funksion: të ndihmojnë në seleksionimin e më të mirëve dhe atyre që u përgjigjen më mirë kërkesave taktike të trajnerit. Gjatë dy miqësoreve në Elbasan, tekniku është përpjekur që t’u japë sa më shumë minuta të treve për t’ua bërë më të lehtë përshtatjen.
LUFTË PËR FORMACIONIN Megjithëse kanë ardhur si përforcime të rëndësishme, asnjëri prej tyre nuk e ka të garantuar vendin në formacion. Konkurrenca është reale dhe ndoshta më e fortë sesa ata mund ta kishin menduar. Në mesfushë dhe në sulm ka lojtarë që vijnë nga sezoni i kaluar dhe që e njohin më mirë sistemin e lojës së trajnerit Gvozdenoviç. Kjo do ta bëjë akoma më të vështirë për Ibraimin dhe Ben Shimon që të fitojnë një vend titullari pa treguar nivel të lartë gjatë këtyre tri javëve përgatitje.
Nga të tre, portieri Martin Janaçek duket se është ai që aktualisht ka më shumë shanse për të nisur sezonin si titullar. Ai ka bindur në seancat e para stërvitore dhe për momentin shihet si zgjedhja më e besueshme në katërkëndësh. Megjithatë, konkurrenca në portë mbetet e hapur, sidomos nëse gjatë fazës përgatitore do të ketë luhatje në formë ose lëvizje të tjera në merkato. Por fakti që çeku vjen nga një kampionat serioz dhe ka eksperiencë ndërkombëtare, e vendos disi përpara dy afrimeve të tjera.