Wed, Jul 23, 2025

Energjia negative dhe si mund të vendoset paqja

  • PublishedJuly 23, 2025

Energjia negative dhe si mund të vendoset paqja

NGA LEKË TASI 

Karakteristika mbizotëruese e shoqërisë sonë është pakënaqësia me veten dhe me tjetrin. Shqiptari në 125 vjet shtet ndien më fort mungesat se sa realizimet, kur këto të fundit nuk kanë vulën e tij fare ose jo aq sa dëshiron. Kjo brengë e tij mund të kompensohet me shkallën e kënaqësive që ai nxjerr nga puna e tij private krijuese. I afti në fusha të tjera mund të rrijë i papërfshirë politikisht, pra të mos ketë mëri të adresuara dhe kjo tregon pjekuri. Kështu që personat e “realizuar” sot, mjaft të numërt dhe në profile të panumërta kundrejt së kaluarës, hyjnë tek energjia pozitive e vendit. Parulla që qarkullon “kryesorja është të rrëzojmë Ramën!” vjen nga një pakënaqësi me veten më fort dhe shumë pak ose aspak me nevojën e krijimit të një opozite si garanci për shtetin. Kështu që elektorati, i cili ia ka shtuar dukshëm votat Ramës në katër votime, hyn në energjinë pozitive. E shohin çështjen me mundësitë e krijuara. Gjërat pra po lëvizin, por ka një shkak historik për pakënaqësinë tonë. Ndarja e dikurshme ka ardhur duke u zbehur mjaft mes krahinave dhe feve falë shkollës sado të çalë, por ngathtësia përreth nxjerr shkaqe o pretekste të tjera për ta ushqyer, jo vetëm kur përkatësia që mbron subjekti është e qartë, por edhe kur ajo imagjinohet ose nxitet nga të tretë për qëllime të momentit. Ekziston gjithashtu një injorancë e plotë i historisë dhe i historive te këta, dhe kjo çon plot të tjerë të bëjnë tifo në mjete sociale për tema tërësisht të pakuptuara.

Ky fenomen është i njohur në botë posi si te neve, do ta shohim pse dhe si kjo mungesë edhe kureshtjeje. Ndërkohë të habit sa pak interes shfaq shqiptari i shkolluar për skenën botnore, të afërtën dhe të largëtën, gjë që sjell një bllokim mendjesh thuajse të vullnetshëm që e tërheq mbrapa opinionin. Ai nuk gjykon duke mos iu përshtatur masivizimit të domosdoshëm të komunikimit lloji të ri, që favorizon disa, dhe i len të tjerët të kërkojnë zgjidhje nga pakënaqësia. Politika veçanërisht shquhet për këtë. Bindesh për këtë kur akuzat pa fund mes palëve, ndërpriten nga një vlerësim i lartë për administrimin e sotëm. Humbësi detyrohet t’i bëjë thirrje popullit të prishë shtetin për t’i sjellë në pushtet! Dhe këtë absurd bërtitës mendor të ardhur si rezultat të vetëbllokimit politik ka një palë analistësh që e quajnë abuzim të krahut qeveritar me atë opozitar. Kush të jep të drejtën ty të çosh një ekzistencë të muzgët në sqetullën e tjetrit dhe ta quash atë dritë? A nuk të kujton kjo “Fenerin në breg të Adriatikut”? Dhe a nuk i lind e drejta kujtdo në botë, fuqi e çdo rangu, t’i mbajë në jetë të tilla realitete pa dinjitet në afërsi fqinje, që të dalë vetë i denjë të përfaqësojë rajonin? Ky teatër nëpër të tilla xhepa të botës vazhdon pa pra që të krijojë kriza që do të shpërthejnë dhe vende të reja të reja të rilindin si prej hirit? Dhe ky mekanizëm zë vend, ka edhe gjetkë në planet, me dimensione gjigante dhe mbi tradita të lashta.

A nuk shkeli marrëveshjen Kina me Britaninë për Hong Kongun, dhe në vend të marrjes prej tij modelin zhvillimor, i kaloi të sajën, jo Maoist as të Tenhsaopinit, por Xi, tërësisht depersonalizues për banorët, që e përcjell opozitarin jashtë prej jake në sy të një mase pesëdhjetë mijëshe! Se ç’ndjell ky model do ta tregojë koha. Ashtu si edhe problemet që mbajnë brenda fuqitë e tjera, India, Irani, Izraeli, Rusia, si dhe të tjera të lidhura me një të kaluar barbarie moderne kundrejt, të cilës ndihen mirënjohëse pavarësisht ç’gjëma të patreguara ka punuar. Një dallim esencial mes tyre prapë se prapë imponohet përmjet nuancash: Xi dhe Putini përfshijnë ndër kushtet e besnikërisë ndaj atdheut, atë të qëndrimit në fuqi si persona. Në Indi krerët zgjidhen me vota vërtet, ka parlamentarizëm, por induizmi mbetet i pandryshuar si i përjetshëm dhe është një mënyrë për të ruajtur shoqërinë me kasta. Izraeli gjithashtu ka një diasporë dhe një qytetari tërësisht perëndimore, por shteti i tyre mbetet besnik judaizmit, gjë shumë domethënëse nëse ndihma nga Perëndimi do të jetë pa afat apo i kushtëzuar. Kur kalojmë në Evropë, problematika bëhet mal: mbretëritë dhe republikat e saj i kanë të tria pushtetet të zgjedhura, por mjaft prej tyre ruajnë lidhje gjysmë ilegale mes tyre për pushtet plus, pra union përbashkues, por me qëllime të fshehta. Kjo prodhon korrupsion detyrimisht siç dëshmojë shenjat dhe denoncimet dramatike! Kur socialja humb tiparin dashuri për ta zëvendësuar me barazi o dinjitet, kur familja lirohet nga afekti në favor të lirisë së individit, kur liria shndërrohet në lirshmëri vesi, jeta merr një ndriçim tjetër, metalik, hënor dhe flladi i tij ngjeth cilindo frymor normal në hijen shpërfillëse të hoteleve luksoze. Për ta vënë në sprovë këtë pastish evropian, që gjëmave dyshekullore që i ka ngjeshur sipër direktorati aktual i Brukselit, ngrihet zëri i G.Melonit, Kryeministre e Italisë. Gjakftohtësia e saj përbën vetinë më të suksesshme ndofta, sepse fjala e saj as e përdor, as e lë mbrapa zemëratën që pritej, ajo vetëm krasit me fund këto plane të errëta te bashkëbiseduesit e saj dhe e risjell në aktualitet bashkimin fillestar të vitit 1957 në termat origjinalë. Kjo kthesë, në qoftë e tillë, sheh edhe Shtetet e Bashkuara në favor, sepse me Presidentin Trump, përsëri në krye, që ka marrë një nismë për paqe, e vetmja garanci për ta fituar është angazhimi serioz dhe i sinqertë. SHBA-të kanë qenë për shekuj një republikë xheloze për pavarësinë e saj nga kurora britanike dhe mjaft luftarake për shkaqe mbijetese mes autoktonëve shumë xhelozë për territorin. Mbas një idili fillestar me ta, bilanci mori fund me eklipsin e tyre.

Hollivudi i përkujton nëpër filma me respekt për karakterin e tyre qëndrestar, por shoqëria amerikane s’ka pasur rezultate në ruajtjen e tyre, ashtu si dhe të shumë të tjerëve që nuk ndihmojnë dot veten. E tillë është ajo shoqëri e lindur nga një eksod dyshekullor që jep shenjat e pararendësit në Sinai dhe duhet pranuar ashtu si është. Bëmat e saj pushtuese janë të kufizuara. Kjo i garanton asaj modestinë e nevojshme për të qenë e përulur në kërkimin e paqes. Ky kalim i shpejtë në revistë i botës nga Lindja e Largme gjer në Far Westin e ditëve të sotme, mund të merret si një sprovë të nxjerrë në dritë disonancat më të dhimbshme, që e devijuan njeriun nga rruga e tij prej qytetari të botës dhe e dëmtuan thellë aq sa të jetë e domosdoshme pendesa e kuptuar në terma politikë. E drejta dhe e vërteta o është universale, o s’është fare! Kriteret për ta diktuar janë si morale ashtu dhe aksidentale, dmth., si sjellje korrekte që ai beson, po dhe si shenja që i vijnë së larti dhe i thonë “vazhdo”. Kontinenti amerikan me avantazhet e tij të shumta u duk që në fillim të epokës moderne se do të luante një rol përcaktues për gjetjen e paqes.

Dhe kjo rëndësi e tij erdhi duke u theksuar. Thënia e Presidentit Trump, “na kanë shfrytëzuar” është fjalë shumë e gjetur, por ka historinë e saj, të një llastimi gradual të Europës, ndërsa rreziku qoftë prusian o hitlerian, o sovjetik e bënte po aq gradualisht, pra disi pafajësisht, të pashmangshme moralisht ndihmën amerikane. Pra, ishim në një terren të kuptueshëm si i pa alternativë. Erdhi një moment që kjo pushoi së qeni e tillë. Përqendrimi i quajtur liberal dhe përbashkues i Evropës, por në thelb lakmues pushteti nga grupi Francë-Gjermani, siç po del, nisi të kërkojë ura të sajat edhe përtej Atlantikut, aq sa të gabojë edhe një pjesë të liderëve të atjeshëm, që sot po dalin zbuluar. Shtyrja e mandatit të Trump qe providencial. U bënë shumë akuza kundër tij, por drejtësia nuk i vërtetoi dhe fitorja e tij qe plebishitare. Një mandat i ndërprerë, që të bën të mendosh për një ndërgjegjësim çastin e fundit të rrezikut që po e pushtonte vendin. Rezultatet pastaj, qysh javët e para, me ritme imponuese në tërë skakierën botnore, jep përshtypjen se fuqia, aleancat, aftësia parashikuese dhe përballuese me armatim, i japin mundësinë asaj superfuqie të fitojë mbi cilindo kombinim fuqish, (natyrshëm kundërshtare dhe ish-aleate, këto thjesht për policentrizëm), aq më fort kur sinjali “Paqja është e arritshme” duhet të kishte mënjanuar çdo politikë të motivuar me fitime meskine mbi fqinjin, o për krenari. Pikërisht ky sinjal paqësor i planifikuar me oferta e tarifa të kalibruara për secilin, jep zgjidhje lokale që rikthejnë Evropën te një zhdërvjelltësi motivesh që direktorati franko-gjerman ia përvidhte.

E dëshmon Hungaria, Sllovakia, Spanja, dhe madje, kryeministrja Meloni, e cila di të gjejë tonin e dialogut edhe parimor me aleatin e saj Trump, me pranim e deri me disens të hapur. Deklarata e djeshme e Presidentit Trump bashkonte posi efektin me shkakun, veprimet luftarake ç’ishin bërë dhe ç’pritet të bëhet, me habinë për absurditetin e luftës. Rrezikonte të ngjante cinik, por kush mund të argumentonte se nuk u kishte dalë borxh herë e përsëri të çmendurve me ftesa të ndalonin zjarrin? Pra, kemi të bëjmë nga njëra anë me një politikë meskine mendjesh të kufizuara, që shtojnë miliardat për një qëllim dhe detyrohen nën presion t’i shtojnë të tjera, për ta çuar drejt qëllimit të kundërt. Absurdin e luftës, Trump me të drejtë mund ta përdorë me tërë planetin, sepse flet për besueshmëri sjellja historike e vendit të tij me qindra milionët nga çdo anë, që nga të huaj u bënë amerikanë, jetuan e vdiqën për të. I takon ta besojnë edhe vendet e tyre të origjinës, kjo është pak a shumë si të flitet brenda familjes. Dhe është e përhapur kudo, ngaqë vjen nga më e fuqishmja e të tërave. I forti me të tilla të dhëna s’ka arsye pse të mos i shkojë deri në fund edhe vendosjes së paqes. Ai rezulton të jetë edhe më i sinqerti politikan ndër të mundshmit.