Herzog viziton Gazën për herë të parë që nga fillimi i luftës! 70 deputetë izraelitë kërkojnë aneksimin e Bregut Perëndimor
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, zhvilloi sot një vizitë të papritur në Rripin e Gazës – hera e parë që prej shpërthimit të luftës me Hamasin tetorin e kaluar. I shoqëruar nga forca izraelite në territorin e pushtuar, Herzog dha mesazhin politik se operacionet ushtarake dhe prania izraelite në Gaza nuk kanë ndërmend të përfundojnë së shpejti.
“Veprojmë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ofrojmë ndihmë humanitare sipas saj. Është Hamasi që përpiqet të sabotojë ndihmën”, deklaroi ai, ndërsa theksoi se po zhvillohen negociata intensive për lirimin e pengjeve që ndodhen ende në Gaza. Herzog u shpreh “shpresëplotë” për lajme pozitive së shpejti.
71 deputetë votojnë për aneksimin e Bregut Perëndimor
Në një zhvillim paralel me simbolikë të qartë politike, 71 deputetë të parlamentit izraelit (Knesset) miratuan një rezolutë që i bën thirrje qeverisë të aneksojë zyrtarisht Bregun Perëndimor – një veprim që do të varrosë përfundimisht çdo plan për krijimin e një shteti palestinez.
Edhe pse rezoluta nuk ka efekt ligjor, ajo është një mesazh i drejtpërdrejtë politik, i mbështetur jo vetëm nga maxhoranca e djathtë e Benjamin Netanyahut, por edhe nga disa deputetë të opozitës. Në tekstin e saj, thuhet se:
“Izraeli ka një të drejtë natyrore, historike dhe ligjore mbi Judenë dhe Samarìnë. Sovraniteti mbi këto toka është thelbësor për sigurinë e shtetit dhe vizionin sionist.”
Palestinezët reagojnë: “Shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare”
Autoriteti Palestinez reagoi menjëherë ndaj votimit, duke e quajtur “një fyerje të hapur ndaj të drejtave të popullit palestinez” dhe “një shkelje flagrante të të drejtës ndërkombëtare”.
“Veprime të tilla të njëanshme e çojnë rajonin drejt destabilizimit total dhe groposin çdo mundësi për një zgjidhje me dy shtete,” deklaroi Hussein al-Sheikh, zyrtar i lartë i PLO-së, në rrjetin “X”.
Aktualisht, në Bregun Perëndimor jetojnë rreth 500 mijë izraelitë në vendbanime që OKB i konsideron të paligjshme, përkrah më shumë se 3 milionë palestinezëve. Aneksimi de facto i këtyre zonave është kthyer prej vitesh në një pikë të nxehtë për paqen në Lindjen e Mesme, ndërsa me këtë votim, Izraeli po sinjalizon qartë se do të thellojë kontrollin mbi territoret e pushtuara.