Kallëzimi nga opozita për disa vepra penale, kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi paraqitet në SPAK për të disatën herë
Kryetarja e bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi është paraqitur ditën e sotme (23 korrik) në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Kjo është e disata herë që kryebashkiakja socialiste paraqitet në SPAK.
Bufi është kallëzuar nga opozita për disa vepra penale, si:“Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Sipas kallëzimit, kryebashkiakia ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale shkelje të rënda kundër punonjësve të administratës publike, për t’i penguar ata të votojnë lirisht, shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe. Po ashtu PD Roskovec ka depozituar për të edhe një kallëzim penal në SPAK, duke e akuzuar për abuzim me tenderat.
Denoncime publike janë bërë edhe nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili i ka bërë disa herë thirrje SPAK për hetime ndaj Bufit lidhur me një tender për karikimin e makinave elektrike me vlerë miliona euro si edhe për ndërtimin e një termocentarali në zonë bujqësore.