Wed, Jul 23, 2025

Kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë, GJKKO rrëzon ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja

  • PublishedJuly 23, 2025

Kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë, GJKKO rrëzon ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim, pasi Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Vendimi vjen vetëm pak ditë pasi SPAK përfundoi hetimet dhe depozitoi dosjen në gjykatë, duke kërkuar kalimin e çështjes në fazën e gjykimit. Hetimet përfunduan më 15 korrik 2025 dhe në bankën e të akuzuarve, përveç Çyrbjes, do të ulen edhe Ahmet Masha dhe i shumëkërkuari Altin Hajri.

Çyrbja ndodhet në paraburgim që prej 20 tetorit 2024, me vendim të GJKKO-së dhe urdhër të SPAK, i dyshuar për lidhje me grupin kriminal të drejtuar nga Altin Hajri në Durrës dhe për veprën penale të “nxjerrjes së sekretit shtetëror”.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, ish-deputeti socialist ka pasur një marrëdhënie miqësore me Altin Hajrin, të cilit dyshohet se i ka ofruar mbështetje dhe informacion në këmbim të votave në zonën e tij elektorale. Altin Hajri është një emër i njohur për drejtësinë, i shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.