Wed, Jul 23, 2025

Kryebashkiaku i Tiranës merret zyrtarisht i pandehur, SPAK i komunikon sot akuzat Erion Veliajt

  • PublishedJuly 23, 2025

Kryebashkiaku i Tiranës merret zyrtarisht i pandehur, SPAK i komunikon sot akuzat Erion Veliajt

NIKOLETA KOVAÇI/ Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se ka marrë zyrtarisht të pandehur kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, bashkë me një numër të madh personash që gjenden të përfshirë në aferat për të cilat SPAK ka përpiluar një dosje qindra faqesh.

Nga të dhënat që priten të jenë zyrtare ditën e sotme (23 Korrik), mësohet se kreu i Bashkisë së Tiranës do të njihet me akuzat e “Korrupsionit”, “Pastrimit të parave” dhe “Fshehjes së pasurisë”.

Burime bëjnë me dije se akuzat kryebashkiakut të kryeqytetit do t’i komunikohen një ditë pasi me to u njoh biznesmeni i huaj, Elman Abule, i cili u vu në pranga bashkë me Erion velian, ndërsa pjesa tjetër e të pandehurve u hetuan në masa të ndryshme sigurimi personal.

Në fakt, të vetmit që u vunë në pranga ishin pikërisht Veliaj dhe Abule, por ky i fundit më vonë e ndryshoi masën e sigurisë, pas një mori kërkesash në shkallët e gjyqësorit. Prokuroria bëhet me dije se në lidhje me marrjen zyrtarisht të pandehur të Veliajt kanë njoftuar edhe mbrojtësit e tij, të cilët kanë reaguar menjëherë publikisht. Në lidhje me këtë komunikim, që pritet të ndodhë orët e paradites së të mërkurës, Erion Veliaj do të përballet sërish me dy prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Olsi Dado, të cilët u përballën jo pak herë kryebashkiakun, por edhe me mbrojtësit e tij gjatë fazës së hetimit.

Po ashtu, ende nuk bëhet e qartë nëse SPAK do ta përcjellë dosjen për në Gjykatën e Posaçme apo do të shtyjë afatet e hetimit. Erion Veliaj mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit të këtij viti. Ai po hetohet bashkë me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenë, njëri prej tyre, Elman Abule, i cili mbahet në masën e sigurisë të arrestit në shtëpi, mësohet se është paraqitur këtë të martë në SPAK, ku është njohur zyrtarisht me akuzat që rëndojnë mbi të. “Afati i fundit është data 30 korrik për mbylljen e hetimeve dhe kjo është faza kur i komunikohen akuza zyrtarisht dhe palët kanë të drejtë brenda 10 ditëve të paraqesin prapësime me MEMO”.

REAGIMI I AVOKATËVE

Ekipi ligjor i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas informacioneve se sot i komunikohen akuzat nga SPAK. Njoftimi i akuzës, sipas avokatëve, do t’i japë për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe të analizojë provat e prokurorisë.

“Siç jemi njohur nga mediat e ‘SPAK’, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij”, – theksohet në reagim.

Ata theksuan se: “Jemi thellësisht të shqetësuar që praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë joligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj.

Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e z. Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale. Siç jemi njohur nga mediat e ‘SPAK’, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij”.

GAZETA PANORAMA