“Objektivi është kalimi në raundin tjetër”, Tetova optimist: Besoj te forca e grupit, ja situata në skuadër
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova u shpreh optimist para ndeshjes ndaj Dinamo Minsk në turin e dytë të Conference League.
Si ka qenë udhëtimi dhe si është akomoduar grupi në prag të kësaj ndeshjeje të rëndësishme europiane? Si është gjendja psikologjike?
Udhëtimi ka qenë shumë i përshtatshëm, kemi ardhur që ditën e hënë në Hungari. Jemi stërvitur këtu në kushte të mrekullueshme. Theksin e punës e kemi vendosur edhe tek ana psikologjike. Klubi mendoj që do të ishte më mirë akoma të vinim këtu tre ditë përpara ndeshjes.
A ka rikthime të rëndësishme në skuadër për këtë takim, si paraqitet gjendja fizike e lojtarëve?
Nga pezullimi prej kartonit të kuq rikthehet Lushkja, por jemi të detyruar të bëjmë pa dy lojtarë të tjerë, Ndreca dhe Leo Melo. Gjendja fizike është e mirë, edhe lojtarët që kanë ardhur më mbrapa po shkojnë drejt normalizimit të formës sportive.
Çfarë dinamikash prisni nga Dinamo Minsk si kundërshtar dhe cilat janë pikat që keni evidentuar gjatë analizës së tyre?
Bjellorusët janë një skuadër e fortë fizikisht, sigurisht, dhe në ritëm kampionati kombëtar, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën.
Cili është objektivi i Egnatias për këtë sfidë, vetëm një rezultat pozitiv, apo mendoni edhe për menaxhimin e dy ndeshjeve të turit?
Ne kemi si objektiv të kalojmë në raundin tjetër duke bërë më të mirën në fushë, të gjithë bashkë.