“Rrumi i Shijakut” nuk shpëton dot, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Aleksandër Lahon!
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë ndaj Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, duke e dënuar përfundimisht me 2 vite burg për korrupsion aktiv ndaj një zyrtari publik.
Sipas vendimit të Apelit, Laho u shpall fajtor për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim. Fillimisht ai ishte dënuar me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi uljen e 1/3 së dënimit.
Hetimet zbuluan se Laho i ka dhënë zyrtarit të Avokaturës së Shtetit, Irgen Kërçuku, shumën prej 600 mijë lekësh dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një vendim gjyqësor që lidhej me një çështje pronësie në Gjirin e Lalzit, ku në qendër ishte tjetërsimi i 45 mijë metrave katrorë tokë publike.
Emri i Lahos është përmendur më herët në kronikat kriminale. Ai mbeti i plagosur në atentatin e vitit 2019 ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Në kuadër të hetimeve për këtë ngjarje, doli në dritë edhe një video që e lidhte Lahon me një zyrtar të Avokaturës së Shtetit, pikërisht në rastin korruptiv për të cilin u dënua.
Për të njëjtën çështje, Irgen Kërçuku është dënuar me 2 vite burg.
Njoftimi
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:
– Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Laho. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
– Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit Aleksandër Laho. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.
– shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.
U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.