Thu, Jul 24, 2025

Tuneli 19 milion euro i Skërficës, katër zyrtarë të ARRSH-së dënohen me punë publike

  • PublishedJuly 23, 2025
Tuneli 19 milion euro i Skërficës, katër zyrtarë të ARRSH-së dënohen me punë publike

Vendimi u shpall të martën nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, me anëtarë Rudina Palloj dhe Erjon Çela, të cilët vendosën shpalljen e fajësisë vetëm për ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, si dhe për tre anëtarë të grupit të punës në ARRSH – Simon Prendi, Erdit Salillari dhe Elona Gogo. Katër zyrtarët u dënuan me nga 6 muaj burg, por gjykata urdhëroi pezullimin e dënimit dhe zëvendësimin e tij me 60 orë punë në interes publik.

Përveç punës publike, gjykata vendosi që Qato, Salillari dhe Gogo të mos ushtrojnë funksione publike për një periudhë njëvjeçare.

Ndërkohë, 6 të pandehurit e tjerë – të gjithë pjesë e strukturave teknike dhe ligjore të ARRSH-së – u shpallën të pafajshëm për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK kishte ngritur akuza për “falsifikim të dokumenteve” dhe “shkelje të barazisë në tendera” ndaj 10 zyrtarëve, duke pretenduar se ata kishin favorizuar një operator të lidhur me kompaninë “Vëllezërit Hysa” në tenderin për ndërtimin e tunelit të Skërficës në segmentin Kardhiq–Delvinë. Sipas prokurorisë, kompania “Gjoka Konstruksion” – një konkurrent në këtë tender, ishte përjashtuar në mënyrë të padrejtë përmes një raporti të dyshimtë teknik, të përgatitur nga një grup i ngritur nga vetë ARRSH.

Sipas akuzës, në të njëjtën ditë, grupi i punës kishte prodhuar dy raporte të ndryshme, njëri pozitiv dhe tjetri negativ për punimet e kompanisë në rrugën e Arbrit – projekt i dhënë me koncesion nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në hetimet e SPAK rezultonte se pas bashkimit të operatorëve fitues që u shpallën në tender qëndronte kompania “Vëllezërit Hysa”, e cila në atë periudhë ishte nën hetim penal për abuzime me një tjetër kontratë publike për ndërtimin e rrugës Elbasan–Gjinar.

Pavarësisht akuzave dhe kërkesës për dënim për të gjithë të pandehurit, gjykata rrëzoi pjesën më të madhe të pretendimeve të prokurorisë, duke e ulur ndjeshëm peshën e çështjes penale.

Vendimi mund të apelohet nga Prokuroria e Posaçme dhe të pandehurit në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.