Banorët e Kaçinarit udhëtojnë deri në 60 kilometra për një recetë

Çdo herë që Nikoll Markut i nevojitet një recetë ose një vizitë tek mjeku i familjes, ai përgatitet për një udhëtim të gjatë e të lodhshëm: 60 kilometra rrugë nga fshati i tij i thellë malor në Arrës deri në Reps, qendra më e afërt shëndetësore pas mbylljes së ambulancës në Kaçinar.
Sipas tij, edhe qasja ndaj barnave për sëmundje kronike është vështirësuar.
“Ka njerëz me sëmundje kronike që kanë nevojë për ndjekje të vazhdueshme,” tha ai. “Me pak fjalë, na kanë lënë jashtë sistemit.”
Kryeplaku i fshatit Kaçinar, Ndue Çupi, konfirmon se mungesa e mjekut është kthyer në shqetësim për qindra banorë të zonës.
“Deri një vit më parë kishim mjek, por u largua. Zona është shpopulluar dhe kanë mbetur kryesisht të moshuar që kanë nevojë për shërbim. Të udhëtosh deri në Reps për një recetë është absurde. Po të na kishin bashkuar me Rrëshenin, do ishte më mirë,” shprehet Çupi.
Sipas tij, në Kaçinar janë të pranishëm vetëm dy infermierë, të cilët nuk mund të zëvendësojnë mjekun në lëshimin e recetave apo vlerësimin e sëmundjeve.
Nga një përgjigje zyrtare e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, marrë nga BIRN përmes një kërkese për të drejtën e informimit, rezulton se shërbimi në qarkun e Mirditës mbulohet nga pesë qendra shëndetësore, të mbështetura nga pika ambulatore në çdo fshat.
“Mjekët e familjes dhe personeli infermieror sigurojnë akses të vazhdueshëm për popullsinë, sipas standardit prej një mjeku për 2,500 banorë. Në rastin e Kaçinarit, për shkak të uljes së numrit të banorëve, shërbimi është bashkuar me Njësinë Administrative Orosh,” thuhet në përgjigje.
Por në terren situata duket ndryshe. Banorët thonë se pikat ambulatore shpesh janë të mbyllura dhe mungesa e infermierëve është gjithashtu problematike.
“Fshati ynë ka qendër ambulatore, por zakonisht është e mbyllur. Duhet të telefonojmë infermierin që të vijë, ose të shkojmë në Rrëshen,” thotë një banor i fshatit Hebë në Njësinë Administrative të Fanit, i cili kërkon të mbetet anonim. “Në vitin 2025 nuk është e pranueshme që të vuajmë për shërbim bazik shëndetësor.”