Fri, Jul 25, 2025

Humbja e Elbasanit në miqësore, eksperimentohet skema 4-3-3

  • PublishedJuly 24, 2025

Humbja e Elbasanit në miqësore, eksperimentohet skema 4-3-3

Elbasani ka zbritur në fushë për herë të parë në tokën greke, aty ku po zhvillon fazën përgatitore verore dhe ka luajtur miqësoren e parë ndaj Larisës, një prej ekipeve pjesëmarrëse në Superligën Greke.

Takimi është mbyllur me fitoren minimale 1- 0 për skuadrën vendase, me një gol të pësuar nga verdheblutë në minutën e 82-të, megjithatë loja e zhvilluar nga Elbasani lë vend për optimizëm në prag të sezonit të ri në Superiore. Edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, përballja ndaj një kundërshtari të nivelit të lartë si Larisa ka qenë një test mjaft i vlefshëm për skuadrën e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç. Elbasani u përball me një ekip që jo vetëm luan në Superligën Greke, por ka një organikë të pasur me futbollistë cilësorë, gjë që e bën sfidën edhe më të rëndësishme në aspektin përgatitor.

FORMACIONI DHE SKEMA – Trajneri Gvozdenoviç vendosi të luajë me skemën 4-3-3, duke aktivizuar në fushë një kombinim mes titullarëve të sezonit të kaluar dhe afrimeve të reja. Në portë ishte Janaçek, ndërsa katërshja e prapavijës u përbë nga Musta, kapiteni Lulaj, Azemoviç dhe Bledar Lila. Në mesfushë, trajneri kishte vendosur Arsen Kasën, Dros dhe Dialo, ndërsa në fazën ofensive ishin Ze Gomesh në krah, Ben Shimon në tjetrin, dhe Tsague në qendër.

NDESHJA – 45 minutat e para panë një Elbasan të disiplinuar në mbrojtje, me një organizim të mirë në të gjitha repartet. Verdheblutë u përpoqën të ishin kompaktë dhe të shfrytëzonin kundërsulmet, duke krijuar dy raste të mira me Ben Shimon dhe Tsague. Megjithatë, finalizimi nuk ishte në nivelin e duhur dhe pjesa e parë u mbyll pa gola. Në fraksionin e dytë, tekniku serb vendosi të bëjë rotacion të plotë, duke i dhënë mundësinë të gjithë lojtarëve që kanë udhëtuar në Greqi të aktivizohen.

Kjo përfshiu edhe të rinjtë si Belloj dhe Borici. Në një ndeshje ku ritmi ra disi për shkak të ndërrimeve të shumta, Elbasani pësoi gol në minutën e 82-të, duke bërë që ta nisin me humbje aventurën në tokën greke. Megjithatë, stafi teknik dhe vetë skuadra e konsiderojnë këtë sfidë si një ndeshje me shumë vlerë, pavarësisht rezultatit. Të luash ndaj një kundërshtari më të avancuar në aspektin e përgatitjes dhe më cilësor në letër është pjesë e procesit për të ndërtuar një Elbasan sa më kompetitiv për sezonin që vjen.

Konsolidimi i skuadrës

Për trajnerin Gvozdenoviç, faza në Greqi është kryesisht për të testuar të gjitha alternativat dhe për të kuptuar më mirë mënyrën sesi lojtarët e rinj përshtaten me grupin ekzistues. Me afrimet që janë bërë gjatë merkatos, konkurrenca ka ardhur në rritje dhe miqësoret si kjo ndaj Larisës shërbejnë si matës real për gjendjen e ekipit. Skuadra do të vijojë qëndrimin në Greqi për disa ditë të tjera, ku do të zhvillojë edhe ndeshje të tjera kontrolli për të testuar strategjitë e ndryshme dhe për të konsoliduar grupin. Elbasani synon jo vetëm të bëjë një paraqitje të denjë në Superiore, por edhe të krijojë një bërthamë të fortë që garanton stabilitet afatgjatë.


AlbaniaWeb.net