“Thatësi” në sulm, Allegri dëshiron vetëm Vlahovic, Thiaw përfshihet në negociata
Arsenal ishte thjesht një test miqësor, por një ndeshje e cila nxori edhe një herë në pah problemin kryesor të “djallit”, thatësinë përpara porte, mungesën e një finalizuesi. Është e qartë që Allegrit sot më shumë se kurrë i duhet një tjetër “pykë”, vetëm Gimenez nuk mjafton. Igli Tare dhe pjesa tjetër e stafit drejtues janë të vetëdijshëm për këtë, janë gjithashtu të vetëdijshëm se dëshira kryesore e Allegrit është Dusan Vlahovic. La Gazzetta dello Sport, i kushtoi faqen e parë këtij detaji:
“Vlahovic, të jap numrin 9. Milan gjithçka për serbin”, shkruan e përditshmja italiane. “Djalli” do të zhvillojë testin e parë zyrtar më 17 gusht, në Kupën e Italisë kundër Barit, ndërsa një javë më pas starton Serie A. Tare ka afro 1 muaj kohë për të gjetur një sulmues, me La Gazzetta dello Sport që shton se palët, Juventus-Milan-Vlahovic, do të nisin javën e ardhshme negociatat, por kjo nuk do të jetë një tratativë e lehtë pasi të gjithë palët duhet të heqin dorë nga diçka.

Juve duhet të kuptojë se 75 milionë eurot që investuan për Vlahovic afro 2 vite gjysmë më parë, janë një shifër që as në ëndrra nuk mund ta imagjinojnë. Vlahovic duhet të heq dorë nga 12 milionë eurot që do të përfitojë këtë vit nga Juventus, ndërsa Milan duhet të bëjë një sforco të vërtetë ekonomike për t’i plotësuar Allegrit këtë dëshirë.
“Zonja e Vjetër” pëlqen një lojtar të “djallit”, Thiaw, janë të gatshëm ta përfshijnë në negociata, në këtë pikë edhe Tare nuk është kundër. Në çdo rast, nëse dështon pista Vlahovic, Milan ka bërë gati edhe planin B, ku në listën e dëshirave janë edhe lojtarë si Goncalo Ramos, Jackson dhe Darwin Nunez.
()