Zjarri në Kakavijë/ Digjen 3 banesa dhe 2 kasolle! Flakët kalojnë kufirin drejt Greqisë
Një zjarr i rënë pasditen e sotme në fshatin Kakavijë ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke përfshirë 3 banesa dhe 2 kasolle që janë djegur plotësisht. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke kapërcyer kufirin dhe përfshirë edhe territorin grek.
Zjarrfikësit janë ende në terren dhe po punojnë me intensitet për të izoluar vatrën kryesore pranë qendrës së fshatit. Deri tani, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet konfirmojnë se situata është nën kontroll.
Dyshohet se zjarri ka nisur nga një vatër e vogël në tarracën e një banese, por hetimet janë në vijim për të zbardhur shkaqet e sakta. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal në këto ditë me rrezik të lartë zjarresh.