Sat, Jul 26, 2025

“Bukë për kryeministrin Rama”: Banorët e Suçit protestojnë në Klos kundër ndërtimit të HEC-it

  • PublishedJuly 25, 2025
“Bukë për kryeministrin Rama”: Banorët e Suçit protestojnë në Klos kundër ndërtimit të HEC-it

Protesta kundër ndërtimit të hidrocentralit “Doma” mbi lumin e Lusës në njësinë administrative Suç vijoi këtë të premte para Bashkisë Klos, me pjesëmarrjen e dhjetëra banorëve të fshatrave që preken nga investimi. Banorët kërkojnë pezullimin përfundimtar të punimeve dhe largimin e kompanisë ndërtuese nga terreni.

Këtë të premte, kishte një prani të shtuar policore, ndërsa hyrja e godinës së bashkisë u bllokua nga Policia Bashkiake. Në ndryshim nga protesta e parë ku banorët hynë forcërisht në godinën e bashkisë, këtë herë nuk pati tensione. Banorët kërkuan një përgjigje të qartë për fatin e punimeve të HEC-it, ndërsa lëshuan akuza ndaj administratës aktuale për bashkëpunim të heshtur me firmën ndërtuese.

“Po nuk i hoqi eskavatorët, kjo punë nuk do ndahet kollaj me ne si popull,” tha Ramazan Troci, banor i lagjes Halilaj në Kurdari. “Firma të bëjë një gropë të madhe e të na varrosë si katund, pastaj të vazhdojë me HEC-et.”

Gjatë protestës së parë, Bashkia Klos dhe kryetarja Valbona Kola ia hodhën përgjegjësinë administratës së mëparshme për lejet e dhëna për ndërtimin e HEC-it, duke theksuar se kontrata e qirasë për sipërfaqen pyjore ishte firmosur në vitin 2018 nga ish-kryebashkiaku Basir Çupa dhe se bashkia aktuale ishte përballur me një fakt të kryer.

Për Sabri Burrelin, banor i zonës shprehet se pushteti vendor, po shmang përgjegjësinë duke e kaluar fajin nga një administratë në tjetrën. “Bashkia duhet të jetë në krahun e njerëzve. Këta dinë vetëm të hedhin llafe sa tek Basir Çupa, sa tek Ilmi Hoxha. Por sot janë këta në pushtet, ata i hoqëm dhe këta janë palë me firmën.”

Edhe Aldi Stafa nga Kurqelaj, kërkoi që firma që kërkon të ndërtoj HEC-n të vinte në fshat për të dëgjuar popullin. “Po mori mbështetje mbi 50% për HEC-in, do ta ndihmojmë edhe ne ta ndërtojë. Por ai e di që nuk e ka këtë mbështetje.”

Banorët thanë se nuk janë pyetur asnjëherë për projektin, duke akuzuar institucionet për dëgjesa false. “Dëgjesat i kanë bërë me 15 veta duke hangër pula dhe pirë raki nëpër lokale,” tha Agron Selita. “Ja ku është populli, në shesh, në vapë e në rrugë.”

Ndërtimi i HEC-it “Doma” në lumin e Lusës, në njësinë administrative Suç të Klosit, ka shkaktuar përplasje të vazhdueshme mes banorëve dhe kompanisë ndërtuese “Global Interprise Group”. Projekti është pjesë e një skeme më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve në këtë lumë, ndërsa banorët pretendojnë se nuk janë përfshirë në asnjë proces dëgjese publike.

Tensionet janë rritur ndjeshëm javët e fundit, që prej momentit kur kompania ka tentuar të nisë punimet në terren. Banorët kanë bllokuar vazhdimisht mjetet dhe punonjësit, duke shkaktuar përplasje fizike, ndërsa disa prej tyre u proceduan penalisht në fillim të korrikut për shkak të përplasjes me përfaqësues të kompanisë. Në qëndrimet e saj të mëparshme për BIRN, Ashim Doma, administrator dhe aksioner i kompanisë “Global Interprise Group”,  ka deklaruar se gjurma e HEC-it ndodhet poshtë zonës së banuar dhe nuk prek drejtpërdrejt burimet ujore që përdoren për vaditje, ndërsa pretendon se lejet janë marrë në përputhje me ligjin.

Protestës së banorëve para bashkisë Klos, iu bashkuan edhe përfaqësues të Lëvizjes Bashkë, të cilët shprehën solidaritet me banorët dhe kritikuan modelin ekonomik që favorizon ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në dëm të komuniteteve rurale.

Kryetari i kësaj force politike, Arlind Qori, u shpreh se fenomeni i zhvendosjes së ujërave drejt interesave private po ndodh në të gjithë vendin, nga jugu në veri, duke iu marrë fshatarëve një burim jetik si uji, për projekte që nuk sjellin përfitim publik. “Këto HEC-e nuk kanë kurrfarë ndikimi në prodhimin real të energjisë për ekonominë shqiptare, por shërbejnë vetëm për përfitime të një grushti oligarkësh dhe politikanësh që marrin përqindjet e tyre,” tha Qori.

Deputeti i dalë nga radhët e Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet e 11 majit, Redi Muçi, theksoi se uji është bazë për jetën dhe zhvillimin e zonave si Suçi, ku banorët jetojnë nga bujqësia, blegtoria dhe turizmi malor, ndërsa ndërtimi i HEC-it përbën një kërcënim serioz për të ardhmen e tyre.

Letër dhe bukë për Kryeministrin Rama

Në protestën para Bashkisë Klos, Azem Topalli, banor i fshatit Kurdari, ndau me të pranishmit dhe median një ngjarje personale lidhur me shqetësimet dhe ankesat kundër ndërtimit të HEC-it. Ai tregoi se i kishte dërguar kryeministrit Edi Rama një letër përmes postës, ku shprehte pa asnjë fyerje, shqetësimet e tij dhe pasojat që projekti do të sillte për banorët e zonës. Letra ishte shoqëruar me një copë bukë, si simbolikë e jetës së thjeshtë dhe përpjekjes për mbijetesë në një vend ku uji dhe toka janë të vetmet pasuri.

“Nuk e ofendova, i shkrova me respekt, i thashë hallet tona dhe i futa edhe një copë bukë në zarf,” tha Topalli. Por në vend të një përgjigjeje institucionale, ai u thirr nga Policia për të dhënë sqarime lidhur me këtë letër. “Në jetën time nuk kam hyrë asnjëherë në polici. Kam qenë me Partinë Socialiste edhe në vitet më të vështira, në ’96-’97 kam lënë kryet për atë parti. E sot, më vijnë në derë pse i kam dërguar një copë bukë kryeministrit,” tregoi ai me zë të dridhur.

Sipas Topallit, kjo ishte një përpjekje e sinqertë për të shprehur shqetësimet e një komuniteti të tërë, por është trajtuar si një akt “i rëndë”. Në komisariat, ai tregon se punonjësit e policisë ishin shumë të shqetësuar për “bukën” që kishte dërguar drejt Kryeministrit.

Banorët shprehen se protestat para institucionet, por edhe në terren me pengimin e punimeve do të vijojnë edhe në ditët në vijim, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.