Sat, Jul 26, 2025

Goditet rrjeti i drogës në Novara: 5 të arrestuar, mes tyre 3 shqiptarë, xhiro mujore prej rreth 400 mijë euro

  • PublishedJuly 25, 2025

Goditet rrjeti i drogës në Novara: 5 të arrestuar, mes tyre 3 shqiptarë, xhiro mujore prej rreth 400 mijë euro

Policia italiane ka goditur një rrjet të organizuar trafiku droge në Novara, duke arrestuar pesë persona, përfshirë tre shtetas shqiptarë dhe dy italianë. Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas një hetimi nëntëmujor të seksionit antidrogë të Policisë Kriminale.

Sipas mediave italiane, në krye të grupit ishte një shqiptar 41-vjeçar, i dënuar më parë, i cili kishte përfshirë në aktivitet edhe vëllain e tij 39-vjeçar si roje dhe përgatitës të dozave. Një tjetër shqiptar, 32 vjeç dhe pa precedentë penalë, i identifikuar si “shërbëtori”, kishte rolin e transportuesit të drogës.

Operacioni u shtri në zonat Novara, Nibbiola dhe Vespolate, ku u zbuluan baza të përkohshme magazinimi në banesa, kryesisht në kompleksin e Lumellogno-s. Dy italianët, të moshës 52 dhe 55 vjeç, kishin vënë në dispozicion ambientet e tyre për fshehjen e lëndës narkotike.

Sasia dhe mënyra e shpërndarjes
Grupi trafikonte rreth 30 kilogramë hashash dhe 2 kilogramë kokainë çdo javë, të destinuara për tregun lokal. Lënda narkotike transportohej me automjete të modifikuara, me hapësira të fshehta nën sediljet, që hapeshin përmes butonave të fshehur në tapiceri.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 30 kg hashash dhe mbi 2 kg kokainë, ndërsa vlera e qarkullimit mujor të aktivitetit kriminal vlerësohet në rreth 400 mijë euro.

Hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të shpërndarjes.