Sat, Jul 26, 2025

“Gruaja dhe e bija e rrahën edhe para syve të mi”, flet kryeplaku i fshatit ku vajza vrau babanë: I ati jetonte në mjerim!

  • PublishedJuly 25, 2025

“Gruaja dhe e bija e rrahën edhe para syve të mi”, flet kryeplaku i fshatit ku vajza vrau babanë: I ati jetonte në mjerim!

Fshati Frashër i Fierit është tronditur nga një ngjarje e rëndë familjare, ku një 26-vjeçare, Ermalinda Rama, ka vrarë të atin, Anesti Rama, në bashkëpunim me nënën e saj, Valbona Rama. Fillimisht, rasti u paraqit si një vdekje natyrale për shkak të një infarkti, por hetimet zbuluan një të vërtetë makabre, viktima ishte mbytur me tel nga vajza e tij, ndërsa bashkëshortja ndihmoi në fshehjen e krimit.

Kryeplaku i fshatit, Irakli Zarka, në një deklaratë për mediat, rrëfeu detaje të rënda mbi rrethanat e jetës së Anesti Ramës dhe marrëdhënien e tensionuar me familjen e tij. “Anesti jetonte në kushte ekstreme, në varfëri dhe vetmi. Ishte një njeri i qetë, punëtor, pa vese, pa jetë sociale. Filloi si bari, shkoi në Greqi si emigrant dhe u kthye për të punuar në një fermë,” u shpreh ai.

Sipas kryeplakut, Anesti ishte viktimë e keqtrajtimit të vazhdueshëm nga gruaja dhe vajza e tij, të cilat “e linin pa ngrënë, e ofendonin dhe kërkonin ta dëbonin nga shtëpia”. “I vetmi burim të ardhurash ishte ndihma ekonomike prej 3 mijë lekësh. U ofruam punë në këpucari për të ndihmuar familjen, por refuzuan. Kalonin ditët duke parë telenovela, ndërsa kërkonin një jetë të mirë,” shtoi Zarka.

Një episod tronditës tregohet nga kryeplaku: “Një ditë, kur Anesti më tha se ato blinin ushqime pa lekë në dyqan, në atë moment ato e goditën para syve të mi.”

Zarka pranon se ndonëse fshati ishte i vetëdijshëm për trajtimin mizor ndaj viktimës, askush nuk e kishte imagjinuar se gjithçka do të përfundonte në një vrasje.

“Por nga ato të dyja gjithçka pritej,” deklaroi ai.

Ndërkohë, trupi i pajetë i Anesti Ramës është përcjellë për në banesën e fundit. Vajza tjetër e familjes, që jeton në Itali, është kthyer në atdhe pas tragjedisë dhe u shpreh jashtë kamerave:

“Kjo derë u mbyll përgjithmonë.”