Me 6 mijë tifozë në krah, Vllaznia vë në jetë një kryevepër, por në Reikjavik tani duhet një mrekulli
Nuk ishin favorit ndaj Vikingur Reikjavik, por me 6 mijë tifozë në krah, Vllaznia vë në jetë një kryevepër të vërtetë, arrin një fitore me përmbysje 2-1 ndaj ekipit islandez duke mbajtur të gjallë objektivin për t’u kualifikuar në raundin e tretë të Conference League. Edi Martini shpresonte që në këtë sfidë, me ndihmën e tifozëve, me shpresën në zot dhe me pak fat, të fitonin në “Loro Boriçi”, Vllanzia e tij i kishte të gjitha këto duke e kthyer në festë për qytetin e Shkodrës këtë takim të parë ndaj Vikingur. Pas festës tani është koha të ribëjnë edhe një herë llogaritë, të vetëdijshëm se në Reikjavik duhet një mrekulli edhe më e madhe për të synuar kualifikimin.
Ishte e qartë që islandezët vinin në Shkodër me stofin e një ekipi favorit, por për fat të keq, Vllaznia u ndëshkua shpejt pas vetëm 10 minutash, ku Gunnarsson me kokë në shtyllën e dytë mposhti portierin Jukaj. Ky gol krijoi iluzionin se tifozët shkodran do të përjetonin një mbrëmje të errët, por djemtë e Edi Martinit treguan karakter, nuk u dorëzuan, por filluan duke fituar terren minutë pas minute. Esat Mala në një mbrëmje të madhe tentoi në disa momente të krijonte raste të rrezikshme, si në minutën e 23-të. Në fundin e pjesës së parë, Mala reklamoi një 11-metërsh për faull në zonë, por nuk e konsideroi të tillë gjyqtari i takimit. Në vijimet e këtij aksioni, Vllaznia ishte me fat ku Vikingur iu afrua golit të dytë.
Me fat ishin edhe me fillimin e pjesës së dytë, ku goditja e Gudjonson nga distanca u stampua në traversë. Me kalimin e minutave, të shtyrë edhe nga tifozët, Vllaznia ishte më prezentë në zonë, ku fillimisht Balaj tentoi me një diagonale, por goditja e kapitenit shkoi ngjitur me shtyllën pingule.
Në minutën e 66-të, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, Bajrami në zonë fitoi duelin ajror dhe me kokë barazoi shifrat në 1-1. Për të kompletuar këtë mbrëmje të madhe mendoi Esat Mala, me mesfushorin kuqeblu që në minutën e 74-ët me një goditje shumë të bukur nga distanca përmbysi rezultatin duke bërë që Shkodra të shpërthente në festë.
Me këtë avantazh të rëndësishëm në “xhep”, Vllaznia administroi si duhet pjesën e mbetur të takimit duke i dhënë jetë një objektivi shumë të rëndësishëm, kualifikimin për në turin e tretë të Conference League.
()