Zjarri në Kakavijë, arrestohet 39-vjeçari që e shkaktoi gjatë punës me troko! U dogjën 4 banesa dhe dhjetëra pemë frutore
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar Kosta Ninin, 39 vjeç, si autor i dyshuar i zjarrvënies së rëndë që përfshiu fshatin Kakavijë më 24 korrik, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe rrezik për jetën e banorëve.
Sipas hetimeve paraprake, 39-vjeçari kishte ndezur zjarr aksidentalisht gjatë punës me troko në banesën e tij. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, dolën jashtë kontrollit dhe përfshinë 4 banesa që u dogjën plotësisht, një sipërfaqe pyjore si dhe pemë frutore në oborret e zonës.
Banorët u evakuuan në kohë nga Policia e Shtetit, ndërsa zjarri u vu nën kontroll me ndihmën e Zjarrfikëses, Forcave të Armatosura, FRONTEX-it dhe helikopterëve grekë.
Kosta Nini po përballet me akuzat për “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrim me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Dropull/Identifikohet dhe nxirret përpara përgjegjësisë penale, autori i zjarrvënies së djeshme, në fshatin Kakavije.
Gjatë punës me troko, ndezi zjarr që rrezikoi jetën e banorëve, si dhe dogji 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore, arrestohet 39-vjeçari.
Banorët u evakuan nga shërbimet e Policisë, ndërsa zjarri u shua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të Zjarrfikëses, Policisë së Shtetit, FRONTEX-it dhe Forcave të Armatosura, të asistuara nga helikopterë të autoriteteve greke.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas njoftimit se në fshatin Kakavije kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtij rasti, shtetasit K. V., 39 vjeç, banues në këtë fshat.
Nga këto veprime rezultoi se 39-vjeçari, gjatë punës në banesën e tij, me troko, ka shkaktuar zjarr, i cili i favorizuar nga era e fortë, ka rrezikuar jetën e banorëve në fshatin Kakavije, si dhe ka djegur 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.