Ligji i ndërgjegjes së vonuar
NGA ARBEN FETAI
“Nuk është kurrë vonë për të bërë gjënë e duhur.”
Nelson Mandela
Ka ligje që burojnë nga nevo ja emergjente teknike apo shoqërore dhe ka të tilla që burojnë nga kalkulimet politike. Por ka edhe ligje që lindin nga një ndërgjegje kolektive e vonuar.
Mu në përvjetorin e parë të qeverisë sonë, ne kemi miratuar projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat që i përket kategorisë së tretë. Ky projektligj përbën një reflektim institucional mbi një padrejtësi historike që kishte lëshuar rrënjë të thella në strukturat e shtetit, duke shënuar kështu një moment kthese për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Si zëvendëskryeministër, kam pasur nderin dhe përgjegjësinë të udhëheq këtë proces, i cili mishëron një angazhim të palëkundur për drejtësi, barazi dhe një të ardhme evropiane për vendin tonë. Ky ligj nuk është thjesht një akt juridik – është një korrigjim historik, një hap i guximshëm politik drejt ndërtimit të një shoqërie ku çdo zë dëgjohet dhe çdo talent vlerësohet.
Për gati një çerek shekulli, parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, i shenjtëruar në Kushtetutë sipas Marrëveshjes së Ohrit, mbeti një premtim i mohuar, një ideal i harruar. Ata që ishin para nesh nuk gjetën kurajon e as vullnetin politik për ta kthyer këtë parim në realitet.
Ligji jonë është vula e fundit e një procesi të gjatë, të fragmentuar dhe, fatkeqësisht, shpeshherë të shtrembëruar të zbatimit të parimeve kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.
“Balancuesi”, i prezantuar në vitin 2015 si zgjidhje për të përmbushur një boshllëk, u shndërrua në një simbol të dështimit institucional. Në vend të barazisë, ai solli pabarazi: vetëdeklarime të rreme të përkatësisë kombëtare, manipulime të kuotave dhe, për pasojë, përjashtim në vend të integrimit, shtrembërim në vend të balancimit. Të rinj të talentuar, veçanërisht nga bashkësitë e nënpërfaqësuara si shqiptarët, u lanë jashtë konkurseve publike, ndërsa vende të rezervuara për ta u zunë nga individë të pandërgjegjshëm që shfrytëzonin boshllëqet ligjore.
Ky shtrembërim nuk ishte thjesht një defekt teknik, ai ishte një padrejtësi sistemike që minoi besimin në institucione dhe pengoi përparimin tonë kolektiv drejt vlerave evropiane.
Në vitin 2023, qeveria BDI-SDSM propozoi heqjen e Balancuesit në kuadër të strategjisë për reformën e administratës publike, por pa ndonjë propozim për zëvendësimin e tij. Pra, u krijua një boshllëk institucional dhe sipas vullnetit politike të mazhorancës së atëhershme, në vitin 2024, Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm Balancuesin.
Por për ta kuptuar drejt këtë vendim, është me rëndësi të theksohet se nisma nuk u ndërmor nga ndonjë aktor politik me mision reformues, por nga përbërja paraprake e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, një trup i cili përfshinte individë të lidhur ngushte me eksponentë të qeverisjes BDI-SDSM. Ky Komision, që vetëm korrupsionin nuk e luftoi, hartoi një analizë të hollësishme mbi rreziqet që prodhonte Balancuesi, nga tregtia e ndikimit deri te keqpërdorimi i vetëdeklarimit të përkatësisë për qëllime përfitimi. Në përpjekje për të mbledhur të dhëna shtesë, Komisioni kërkoi informacione nga Ministria e Sistemit Politik, e drejtuar asokohe nga Artan Grubi. Kërkesa e tyre mbeti letër e vdekur. Pjesa tjetër është histori.
Rrëzimi i Balancuesit nuk ishte i rastësishëm. Për vite me radhë, të gjithë e dinin problemin, por askush nuk guxoi të merrte përgjegjësinë për ta adresuar.
Në këto rrethana, koalicioni VLEN dhe qeveria jonë treguan vendosmëri dhe vizion, duke shndërruar parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në një normë ligjore të zbatueshme.
Ky ligj sjell disa ndryshime rrënjësore. Për herë të parë, përkufizohet qartë përfaqësimi i drejtë si detyrim juridik, jo si pazar politik. Do të krijohet një trup koordinues qeveritar, i udhëhequr nga Zëvendëskryeministri, për të garantuar zbatimin dhe monitorimin e tij.
Vetëdeklarimet e rreme të përkatësisë zëvendësohen me një metodologji të bazuar në të dhëna reale demografike, si regjistrimi i popullsisë, por dhe në kritere objektive si emri dhe mbiemri në gjuhën dhe alfabetin origjinal siç figurojnë në letërnjoftimin e bartësit sipas ligjeve në fuqi. Po ashtu parashihet që brenda gjashtë muajve do të bëhet harmonizimi i të gjithë legjislacionit sektorial me obligimet që dalin nga ligji.
Ky ligj nuk është për një bashkësi të vetme. Ai është për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet, për shtetin dhe për të ardhmen tonë të përbashkët. Ai pasqyron një vizion evropian, ku barazia dhe drejtësia janë themeli i një shoqërie moderne. Me këtë, ne po dërgojmë një mesazh të qartë për integrimin tonë në Bashkimin Evropian, si vend i përkushtuar për të ndërtuar institucione që reflektojnë diversitetin dhe fuqizojnë çdo komunitet, çdo qytetar. Ky është një hap drejt një shteti ku askush nuk përjashtohet, ku mundësitë janë të barabarta për të gjithë dhe ku institucionet shërbejnë si pasqyrë e vërtetë e shoqërisë sonë.
Me këtë ligj, ne kemi kthyer një faqe të re. Përfaqësimi i drejtë nuk është më një premtim bosh, por një e drejtë e garantuar me ligj dhe e mbrojtur nga mekanizma të qëndrueshëm. Ky ligj u jep zë të gjithë atyre që janë ndjerë të margjinalizuar dhe u hap dyert talenteve që meritojnë të shkëlqejnë. Dhe ky është vetëm fillimi. Me të njëjtën kurajë dhe vizion, ne do të vazhdojmë të reformojmë shtetin, të forcojmë besimin në institucione dhe të ndërtojmë një Maqedoni të Veriut që i përket të gjithëve. Një Maqedoni të Veriut ku çdo qytetar ndihet i përfaqësuar, i respektuar dhe i fuqizuar, një vend me të ardhme të qartë evropiane, ku drejtësia dhe barazia janë realiteti ynë i përditshëm. Autori,
*Zëvendëskryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut
*Opinioni posaçërisht për gazetën “Panorama”
/Gazeta Panorama