Sun, Jul 27, 2025

Nisin negociatat/ Në Shkodër “dashurohen” me Çarls Bismark, e duan për gjithë sezonin

  • PublishedJuly 26, 2025

Nisin negociatat/ Në Shkodër “dashurohen” me Çarls Bismark, e duan për gjithë sezonin

Kanë mjaftuar vetëm 86 minuta lojë, që në Shkodër të gjithë të “dashurohen” me Çarls Bismark. Sulmuesi që iu bashkua Vllaznisë vetëm para 4 ditësh në formën e huazimit nga skuadra e Skënderbeut, u prezantua menjëherë si titullar në sfidën e parë të turit të dytë ndaj Vikingurin. Dhe ganezi nuk zhgënjeu aspak, duke treguar shumë nga potenciali dhe cilësitë e tij, ku vuri shumë në vështirësi mbrojtjen e fortë të islandezëve.

24vjeçari u imponua me fizikun e tij, duke fituar çdo duel ndaj kundërshtarëve dhe po ashtu duke krijuar një dyshe të fortë sulmuese së bashku me Balajn. Po ashtu, shtatlarti pati edhe 2-3 mundësi për të shënuar, por vetëm ndërhyrjet vendimtare të portierit Jonson i mohuan gëzimin e golit ishsulmuesit të CSKA-së Sofie. Në minutën e 86-të, Bismark u zëvendësua duke lënë fushën e lojës për Delajn. Por, performanca e tij u vlerësua jashtëzakonisht nga të gjithë. Ishin tifozët e pranishëm në shkallët e “Loro Boriçit” të cilët i dhuruan një “det” duartrokitjesh ganezit.

Dhe menjëherë pas përfundimit të takimit, është kërkuar që Bismark të mbahet për gjithë sezonin në Shkodër dhe jo vetëm për ndeshjet e Europës. Kjo pasi sulmuesi pas përfundimit të dueleve europiane të shkodranëve, do kthehet në Korçë. Sepse e tillë është marrëveshja mes dy klubeve, që shërbimet e Bismarkut për Vllazninë të jenë vetëm për Conference League.

Megjithatë, ndoshta marrëveshja mund të rinegociohet, pavarësisht se duket shumë e vështirë, për vetë arsyen se Skënderbeu kërkon ta shesë Bismarkun për një çmim prej 150 mijë eurosh, vlerë që mund të rritet duke parë edhe performancat që po zhvillon ganezi me Vllazninë në ndeshjet e Conference League.


AlbaniaWeb.net