SPAK godet rrjetin ndërkombëtar të drogës, zbardh detajet: U sekuestruan mbi 6 ton lëndë narkotike me vlerë 411 milionë euro! 16 persona nën hetim
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar detaje të reja në lidhje me një hetim të gjerë për trafikim të lëndëve narkotike dhe veprimtari të grupit të strukturuar kriminal.
Fillimisht, nën hetim janë marrë 9 shtetas me inicialet: P. D., J. M., B. P., A. (alias D.), Sh., R. Rr., G. (alias K., alias E.), N., E. S., B. H., dhe J. P. Ata dyshohen për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë muajit korrik 2025, hetimet e zgjeruara kanë çuar në përfshirjen në procedim penal edhe të 6 personave të tjerë: Artur Hoxhosmani, Ermir Ndreaj, Erion Alibej, Plarent Dervishaj, Ilir Lloshi dhe një shtetas me iniciale K. H. Sipas SPAK, këta shtetas dyshohet se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 6 prej tyre, masë që është ekzekutuar nga Policia e Shtetit.
Ndërkohë, një tjetër person i dyshuar, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.) është shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit të ekzekutimit të masave të sigurisë, në banesën e Artur Hoxhosmanit janë sekuestruar tre armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje. Për këtë arsye, Hoxhosmani është arrestuar në flagrancë.
Deri në këto momente janë ekzekutuar 5 vendime të Gjykatës së Posaçme, dhe janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat ndër të tjera janë sekuestruar sende dhe materialet e mëposhtme:
- Shuma monetare në total:
- Euro: 43,470 €
- Franga zvicerane: 5,000 CHF
- Automjete:
- 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volkswagen Sharan.
- Mjet lundrues:
- 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.
- Armë zjarri:
- 3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.
- Ora të luksit:
- 1 orë Rolex, model 126613LN
- 1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68
- Telefona celularë:
- 16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.
- Karta bankare dhe dokumente financiare:
- 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.
- Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.
- Pajisje elektronike:
- 1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.
- 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.
- 1 NVR Hikvision.
- 2 radio komunikimi Baofeng.
- Dokumentacion identifikimi dhe pronësie:
- Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar.
- Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese.
- Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë.
NJOFTIMI I SPAK
SPAK godet një rrjet ndërkombëtar droge – mbi 6 ton lëndë narkotike të sekuestruara me vlerë tregu prej 411 milionë eurosh, 16 persona nën hetim
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme), me vendimin e datës 15.05.2024, ka vendosur ndarjen e akteve nga procedimi penal nr. 184/1 i vitit 2021 dhe regjistrimin e procedimit penal nr. 184/3 i vitit 2024, ndaj 9 (nëntë) shtetasve të dyshuar: P. D., J. M., B. P., A. (alias D.,) Sh., R. Rr., G. (alias K., alias E.,) N., E. S., B. H., dhe J. P., për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” (neni 283/a/1 dhe neni 28/4), “Grupi i strukturuar kriminal” (neni 333/a), si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” (neni 334) të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve, gjatë muajit korrik 2025, janë identifikuar dhe përfshirë në procedim edhe 6 (gjashtë) persona të tjerë: A. H., K. H., E.N., E. A., P.D. dhe I. Ll., të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa episode të trafikimit të drogës. Edhe këta shtetas dyshohen për të njëjtat vepra penale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet Evropiane të drejtësisë, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit me strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit.
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 (shtatë) personave në hetim, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr. 77, datë 25.07.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.
Vendimi u ekzekutua menjëherë në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit. Më datë 25.07.2025 u bë e mundur arrestimi i gjashtë personave në hetim:
- A. H.
- K. H.
- E.N.
- E. A.
- P. D.
- I. Ll.
Gjatë ekzekutimit të masës së sigurisë, në banesën e shtetasit A. H. u gjetën dhe sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, të mbajtura pa leje, për të cilat është arrestuar në flagrancë.
Një prej të dyshuarve, shtetasi D. P. (alias D. B., alias E. S.), është shpallur në kërkim, dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë. Për interesat e hetimit, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kryerjen e kontrolleve në banesa, automjete dhe persona.
Deri në këto momente janë ekzekutuar 5 vendime të Gjykatës së Posaçme, dhe janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat ndër të tjera janë sekuestruar sende dhe materialet e mëposhtme:
- Shuma monetare në total:
- Euro: 43,470 €
- Franga zvicerane: 5,000 CHF
- Automjete:
- 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a, dhe një Volkswagen Sharan.
- Mjet lundrues:
- 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar.
- Armë zjarri:
- 3 pistoleta, me krehër dhe fishekë.
- Ora të luksit:
- 1 orë Rolex, model 126613LN
- 1 orë Richard Mille, model Mclaren RM50-03/68
- Telefona celularë:
- 16 aparate celularë, kryesisht të markës iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive.
- Karta bankare dhe dokumente financiare:
- 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim.
- Dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama.
- Pajisje elektronike:
- 1 dron i markës DJI Mavic 2 Enterprise, me të gjithë aksesorët përkatës.
- 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili.
- 1 NVR Hikvision.
- 2 radio komunikimi Baofeng.
- Dokumentacion identifikimi dhe pronësie:
- Patentë dhe karta identiteti nga autoritete të Shqipërisë, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar.
- Leje drejtimi dhe dokumente lundrimi për mjetet lundruese.
- Certifikata pronësie, dokumente noteriale, kontrata shitblerjeje dhe deklarime të pasurisë.
Episodet të trafikut të drogës
Bazuar në informacionin hetimor të mbledhur nga Prokuroria e Posaçme, aktiviteti i këtij grupi të strukturuar kriminal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike është konkretizuar përmes një sërë episodesh të zhvilluara kryesisht gjatë periudhës 2020–2021 në disa shtete të Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Episode të sekuestrimi të kokainës
- Spanjë – shkurt 2020
Sekuestruar 400 kg. - Belgjikë – prill 2020
Sekuestruar 989.1 kg. - Kanali (Francë – Mbretëri e Bashkuar) – prill 2020
Sekuestruar 250 kg në një ngarkesë me destinacion Britaninë e Madhe. - Holandë – qershor 2020
Sekuestruar mbi 2000 kg kokainë. Vlera tregu e kësaj sasie llogaritet mbi 151 milionë euro (Burimi: https://www.ad.nl/rotterdam/douane-vindt-2020-kilo-cocaine-met-een-waarde-van-ruim-151-miljoen-euro-tussen-bananen ) - Holandë – tetor 2020
Sekuestruar 1484.07 kg.
Episode të sekuestrimit të hashashit
- Rimini, Itali – korrik 2020
Sekuestruar 275 kg. - Bari, Itali – mars 2021
Sekuestruar 400 kg. - Algeciras, Spanjë –mars-shtator 2020
Sekuestruar rreth 1442 kg, ku 170 kg dyshohet se ishin për llogari të të hetuarve.
Episode të tjera
- Francë – shkurt 2020
Sekuestruar një automjet dhe 72,000 euro cash.
Modus Operandi
Ky grup i strukturuar kriminal vepronte nëpërmjet një organizimi të sofistikuar kryesisht në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt disa prej vendeve të Bashkimit Evropian si dhe në Britaninë e Madhe. Lënda narkotike vinte kryesisht nga Santa Marta (Kolumbi) ose Ekuadori dhe transportohej me kontejnerë detarë drejt porteve të mëdha si Anvers (Belgjikë), Rotterdam (Holandë), apo në rrugë tokësore drejt Francës dhe përmes Kanalit (Channel Tunnel) për në Mbretërinë e Bashkuar. Në disa raste, ngarkesat shkarkoheshin edhe në portet e Italisë dhe Spanjës.
Sipas prokurorëve të çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi:
“Struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente dhe me 16 anëtarë të identifikuar deri tani, dëshmon nivelin e lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare, aftësitë dhe shtrirjen e tyre në tregje kriminale ndërkombëtare.”
Transporti i drogës karakterizohej nga metoda të sofistikuara fshehjeje dhe një logjistikë e mirëorganizuar ndërkombëtare. Për fshehjen e drogës përdoreshin mënyra të ndryshme, si për shembull fshehje në paleta me dru (Belgjikë, Francë), kuti me banane (Holandë) dhe thasë me kokrra kakaoje (Rotterdam), duke e maskuar kështu si mall tregtar për të shmangur kontrollin doganor.
Organizimi i grupit ishte hierarkik dhe i ndarë në role të specializuara. Në krye këtij grupi kriminal qëndronin drejtuesit dhe financuesit të cilët jo vetëm porosisnin dhe financonin ngarkesat me drogë, por gjithashtu koordinonin rrugët, pikët e kontaktit dhe operacionet logjistike. Ata ishin ideatorët, investitorët dhe garantuesit e operacioneve, duke lidhur burimin e drogës në Amerikën Latine me tregjet evropiane përmes një zinxhiri të sofistikuar ndërmjetësimi. Shumica e tyre jetonin midis vendeve të Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Poshtë tyre vepronin bashkëpunëtorë që siguronin logjistikën dhe transportin. Këta persona gjenin kompani legjitime eksporti ose transporti, kontraktonin shoferë – shpesh shtetas rumunë – dhe përgatisnin ngarkesat duke i maskuar me mallra të ligjshëm si lëndë drusore apo kakao. Përmes tyre kalonin tonelata me lëndë narkotike drejt porteve të Belgjikës, Holandës apo kalimeve tokësore drejt Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në terren, në vendet e destinacionit, funksiononte një tjetër hallkë e grupit – ajo e shpërndarjes. Këtu përfshiheshin persona që prisnin sasitë e drogës, siguronin dorëzimin, dhe shpërndanin lëndën narkotike sipas porosive lokale. Këta ishin krahu ekzekutiv i rrjetit në Britaninë e Madhe dhe Evropën Perëndimore.
Në origjinën e ngarkesave, në vendet e Amerikës Latine, qëndronin persona të paidentifikuar që shërbenin si pika kontakti. Ata ishin përgjegjës për sigurimin, ambalazhimin dhe dërgimin e drogës drejt porteve evropiane.
Gjithçka mbahej në kontroll nëpërmjet një komunikimi të koduar, aplikacionit Sky/ECC. Përdoruesit mbuloheshin pas pseudonimesh dhe kodeve PIN, që garantonin anonimitetin dhe shmangien e përgjimeve. Komunikimet përfshinin planet për dorëzime, paralajmërime për kontrolle doganore dhe udhëzime për mënyrën e reagimit në rast sekuestrimesh. Në raste dyshimi, telefonat fshiheshin, shkatërroheshin ose hidhnin për të mos lënë gjurmë.
Në aspektin e kryerjes së pagesave, grupi kishte zbatuar një metodë të sofistikuar për të shmangur sistemin bankar tradicional: sistemin informal të pagesës Hawala. Ky mekanizëm mundësonte transferimin e shumave të mëdha parash midis vendeve të ndryshme pa kaluar përmes kanaleve financiare formale, duke shmangur kështu gjurmët zyrtare të transaksioneve. Kjo formë pagesash përdorej për të fshehur origjinën dhe destinacionin e të ardhurave nga trafiku i drogës. Verifikimi i shumave bëhej përmes kartëmonedhave të koduara, ku ishin shënuar pseudonime, shumat e pagesave dhe datat specifike që funksiononin si “token” për të garantuar tërheqjen e saktë të shumës në pikën përkatëse.
Ky grup kriminal kishte gjithashtu akses në infrastrukturën doganore përmes lidhjeve me individë të përfshirë në porte apo agjenci kontrolli në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Nga komunikimet del qartë që sigurimi i bashkëpunimit me doganierë ose personel të porteve shihej nga drejtuesit e këtij grupi kriminal si faktor vendimtar për suksesin e kryerjes së trafikut të narkotikëve prej tyre.
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë ligjzbatuese të Amerikës Latine, agjencitë partnere britanike dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE dhe në mënyrë më specifike me shtete si Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe Kroacia. Një koordinim mjaft cilësor ka qenë edhe ai me agjencitë ligjzbatuese vendase.
Prokurorët e çështjes, z. Altin Dumani dhe z. Adnan Xholi, nënvizojnë se:
“Ky hetim i suksesshëm i drejtuar nga SPAK është rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, veçanërisht me EUROPOL, EUROJUST, agjencitë e shteteve anëtare të BE-së, si dhe agjencitë ligjzbatuese partnere në Mbretërinë e Bashkuar, të cilët ofruan mbështetje përmes një analize të thelluar të të dhënave dhe zbatimit të një koordinimi efektiv ndërkombëtar policor. Vlera e materialit të zbuluar përmes analizës së të dhënave të komunikimit të dekriptuara nga Sky/ECC ka qenë thelbësore për të plotësuar provat e mbledhura gjatë hetimit dhe mbetet ende e vlefshme për arritjen e rezultateve të duhura hetimore. Ky informacion ka qenë thelbësor në identifikimin e veprave penale të rënda, të të dyshuarve, si dhe për përcaktimin e rolit të tyre në këtë grup të strukturuar kriminal.”
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.