Mon, Jul 28, 2025

FORMULA 1/ Piastri bën gjithçka mire pas kaosit në start, triumfi në pistën legjendare të SPA e shkëput në kreun e renditjes. Reagon edhe Ferrari

  • PublishedJuly 27, 2025

FORMULA 1/ Piastri bën gjithçka mire pas kaosit në start, triumfi në pistën legjendare të SPA e shkëput në kreun e renditjes. Reagon edhe Ferrari

Oskar Piastri ka bërë një tjetër paraqitje të shkëlqyer duke triumfuar në Çmimin e Madh të Belgjikës të Formula 1 në pistën e SPA, duke lënë pas shokun e skuadrës Lando Norris e thelluar diferencën ndaj tij në kryesimin e Botërorit në 16 pikë.

Në pistën e famshme belge, ashtu siç pritej, starti ishte kaotik për shkak të reshjeve të shiut, që shtynë fillimin e garës për më shumë se një orë dhe në fund, të gjitha skuadrat u vendosën pas makinës së sigurisë që drejtoi në xhirot e para. Por me fillimin e garës, Piastri i mori me shpejtësi vendin e parë Norris që kishte siguruar pole-position, duke u vënë në kryesim dhe duke marrë komandën në strategjitë brenda ekipit MekLaren.

Kështu, kur pista nisi të thahej, ai ishte i pari që hyri në bokse, duke marrë gomat e ndërmjetme e duke lënë Norris me zgjedhjen e vështirë të gomave të forta. Piastri ia doli të menaxhonte mirë gomat e tij duke lënë pas shokun e skuadrës deri në fund për të marrë një fitore të rëndësishme për titullin kampion.

Pas krahëve të tyre, vendi i tretë i shkoi Sharl Lëklerk me Ferrarin, i cili po jep shenja të ringjalljes, edhe pse skuadra italiane vazhdon të jetë shumë larg pretendimeve që ka për titujt kampionë. Maks Vershtapen u desh të kënaqej me vendin e katërt, ndërsa pas tij vazhduan me radhë Rasëll, Albon, Hemilton, Louson, Bortoleto dhe Gasli të cilët përfunduan në zonën e pikëve.

 

Për t’u theksuar është sidomos pozicioni i Hemilton, i cili ishte i pari që bëri ndërrimin e gomave në mes të garës dhe përfitoi më pas ndërsa të tjerët e kopjonin, për t’u ngjitur disa shkallë në klasifikim pas startit që bëri nga vija e bokseve.


AlbaniaWeb.net