Sun, Nov 9, 2025

“Kam një bombë, dua t’i dërgoj një mesazh Trumpit” – Panik në avionin Londër-Glasgou, pasagjeri ndalohet pas uljes

  • PublishedJuly 27, 2025

Një incident i rëndë ka ndodhur në fluturimin e kompanisë EasyJet nga Londra drejt Glasgout, kur një pasagjer 41-vjeçar britanik me origjinë indiane u ngrit nga vendi duke bërtitur se kishte një bombë dhe se donte të “dërgonte një mesazh për Donald Trump”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit në bordin e një avioni të nisur nga aeroporti Luton, ku pasagjeri, pasi doli nga tualeti, ngriti duart lart duke bërtitur “Allahu Akbar” dhe më pas “Kam një bombë!”. Në fillim u mendua se ishte shaka, por situata doli jashtë kontrollit.

Sipas dëshmitarëve, burri u bë agresiv dhe u përplas me stafin e kabinës. Ai u neutralizua nga disa pasagjerë që e rrëzuan dhe e mbajtën të shtrirë deri në ulje.

“Një person e kapi nga pas dhe e rrëzoi. Pastaj të gjithë i shkuan sipër për ta mbajtur,” – tha një prej pasagjerëve për mediat britanike.

Pasi avioni u ul në Glasgou, në bord hynë rreth gjashtë oficerë policie që arrestuan burrin. Sipas Policisë së Skocisë, pasagjeri është 41 vjeç, posedonte kartë refugjati, dhe ndodhet nën hetim.

“Rreth orës 08:20 të mëngjesit të së dielës, më 27 korrik 2025, morëm një raport për një burrë që shkaktoi trazira gjatë një fluturimi për në Glasgou. Një 41-vjeçar u arrestua dhe hetimet janë në vazhdim,” – thuhet në deklaratën zyrtare.

Në një video që qarkullon online, ai dëgjohet duke thënë: “Desha t’i dërgoj një mesazh Trumpit… ai ndodhet në Skoci.” Kujtojmë se Donald Trump ndodhej në vend për një vizitë private dhe ishte parë në një fushë golfi gjatë fundjavës.

Stafi kontrolloi çantën e burrit dhe konfirmoi se nuk kishte bombë. Megjithatë, piloti urdhëroi ulje të menjëhershme, dhe shumë udhëtarë shpërthyen në lot nga frika.

“Ishte një përjetim surreal,” – u shpreh një tjetër pasagjer.

Fluturimi, pavarësisht alarmit, përfundoi në destinacionin e planifikuar dhe jo në një pistë emergjente.

EasyJet reagoi pas ngjarjes, duke theksuar se stafi ishte trajnuar për të reaguar me profesionalizëm në situata të tilla dhe se siguria e pasagjerëve është prioritet absolut. Hetimet janë në vazhdim.