Kori që nuk hesht para mortit: 60 vite këngë, kujtesë dhe trashëgimi vokale në Gjakovë

Qetësia solemne e varrezave të Gjakovës prishet nga zërat burrërorë të një kori që këndon lamtumirën. Pranë varrit të një prej anëtarëve, Kori i Burrave të Gjakovës përcjell mikun me një këngë të dirigjentit Rauf Dhomi, që tingëllon si homazh, por edhe si thirrje për kujtesë.
Ky ansambël, që ka përcjellë me këngë emra të shquar të kulturës kombëtare si Anton Çetta, Çesk Zadeja, Vaçe Zela, Tish Daija apo princin Leka Zogu, si dhe qindra dëshmorë të luftës së UÇK-së, po shënon këtë vit 60-vjetorin e themelimit.
Por përtej vlerësimit simbolik dhe mirënjohjes publike në raste mortore, autoritetet lokale dhe qendrore në Kosovë nuk kanë marrë ende asnjë nismë konkrete për përkujtimin apo mbështetjen institucionale të tij.
Themeluesi i tij, kompozitori dhe akademiku Rauf Dhomi, që numëron dy operat e para të krijuara në Kosovë, shmanget të flasë gjatë për mungesën e vëmendjes shtetërore.
“Kur fillova punën në qershorin e largët të vitit 1965, nuk mendoja se ky kor do të ishte kaq jetëgjatë,” tha për BIRN Dhomi, aktualisht Akademik në Prishtinë dhe në Tiranë. “Është e vështirë të përshkruaj rolin e madh që luajti ky ansambël me këngët e veta në edukimin patriotik të rinisë dhe të mbarë popullit”, shtoi ai.
Gjakova, qyteti me 95 mijë banorë, jeton intensivisht me muzikën, veçmas me këngën. Grupet muzikore janë të shumta, dhe krijimi i tyre daton disa dhjetëvjeçarë më parë. Qamili i vogël, Ismet Peja, Mazllum Mezini, Florent Nushi, Shkëlzen Jetishi, janë disa nga emrat më të njohur të kësaj fushe.
Kori u themelua në fillim të viteve ’60, në një kohë kur kultura shqiptare në Kosovë po afirmohej nën kushte të vështira politike dhe sociale. Ai lindi si një përgjigje artistike ndaj nevojës për të ruajtur dhe zhvilluar traditën vokale shqiptare, duke qenë një formë rezistence kulturore ndaj asimilimit. Në dekadat që pasuan, kori u bë pjesë e pandashme e jetës publike dhe ceremoniale në qytet.
Gjatë dekadave, kori ka pasur deri në 54 anëtarë dhe ka marrë pjesë në mbi 170 aktivitete kulturore e përkujtimore në qytete të ndryshme shqiptare, nga Durrësi e Korça, deri në Ulqin e Tiranë. Është vlerësuar nga personalitete si presidenti Ibrahim Rugova dhe muzikologë të njohur si Rifat Teqja, Engjëll Berisha, Zhani Ciko e prof. dr. Zekeria Cana.

Në një qytet me traditë të gjatë muzikore si Gjakova, kori përfaqëson një nga kulmet artistike kolektive.
“Ne kemi punuar në sektorë të ndryshëm dhe baca Rauf na testoi para përfshirjes në ansambël,” kujtoi Mazllum Morina. “Shumica u bashkuan me Korin në fundin e viteve ’60, pas kontributit në Ansamblin “Hajdar Dushi”, shtoi ai.
Megjithëse I ka kaluar të 80 vjetët Mazllumi prej disa kohësh këndon edhe me një ansambël të vogël popullor, duke mos e harruar lidhjen me këngën.
Teksa përcjellin në banesën e fundit anëtarin themelues të Korit, Shefik Pallaska, në drekën e përmortshme ata kujtojnë nën zë një këngë korçare, pjesë e repertorit ndër vite.
“Shefiku bënte kujdes për tekstet e këngëve në krahinat e tjera shqiptare dhe për origjinalitetin e tyre”, shtoi Mazllumi.
Kori i Burrave dallohet për cilësitë e mrekullueshme vokale dhe profesionale, ndaj meraku i tyre për vazhdimësinë është jo i vogël.
Megjithëse jeton tashmë në Prishtinë, dirigjenti Rauf Dhomi është ofruar për ta ringritur ansamblin koral.
“Dëshira e koristëve dhe e të rinjve që duan të rreshohen në radhët e tij është e madhe, por përgjigja e autoriteteve mungon,” tha ai.
“Ashtu siç mungon ende edhe një historik i plotë mbi rrugëtimin 60-vjeçar të Korit të Burrave,” shtoi dirigjenti.
Në dhjetor Dhomi do të festojë me miq e shokë 80-vjetorin e lindjes, dhe ai e ka një mendje një dhuratë.
“Do të kishte qenë shumë më bukur nëse më parë do të kremtohej 60-vjetori i Korit të Burrave të Gjakovës,” përfundon ai.