Sun, Jul 27, 2025

Situata e zjarreve në vend, kryeministri Rama falënderon efektivët në terren: Mirënjohje për ata që rrezikojnë jetën për të shpëtuar të tjerët

  • PublishedJuly 27, 2025

Situata e zjarreve në vend, kryeministri Rama falënderon efektivët në terren: Mirënjohje për ata që rrezikojnë jetën për të shpëtuar të tjerët

Në një mesazh të publikuar mëngjesin e së dielës, Kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohje dhe respekt për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, të angazhuar në përballimin e situatës së zjarreve që po prekin vendin dhe rajonin e Mesdheut.

“Mirëmëngjes,” shkruan Rama në rrjetet sociale, “dhe me falënderimin me respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit. Po ashtu, me një veçim plot admirim për shefin e policisë së Delvinës, Agim Troci, që shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën.”

Kryeministri ka vlerësuar edhe angazhimin e zjarrfikësve, ekipeve të Urgjencës Kombëtare dhe Emergjencave Civile, të cilët ndodhen në gatishmëri të plotë përballë rrezikut të përhapur të flakëve që po prekin jo vetëm Shqipërinë, por edhe vende të tjera të Europës Jugore.

Në përmbyllje të mesazhit, Rama ka uruar qytetarët për një të diel të qetë, duke theksuar rëndësinë e kontributit të të gjithë atyre që punojnë për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës e pronës së qytetarëve.