Zjarret në jug përkeqësohen/ Flakët përhapen nga Kalasa drejt Shën Vasilit e Vanës, Ministri Vengu: Do jemi në terren gjithë natën
Situata me zjarret në jug të vendit po përshkallëzohet me shpejtësi, duke u kthyer në një emergjencë të vërtetë. Pas përhapjes së flakëve në Kalasë të Delvinës, vatrat janë zhvendosur edhe drejt Shën Vasilit dhe fshatit Vanë, duke rrezikuar zona të banuara.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu deklaroi në rrjetet sociale se situata është nën kontroll, por operacionet do vijojnë gjatë gjithë natës, me angazhimin e Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve në terren.
“Pas disa orëve ndërhyrje nga ajri, Forcat e Armatosura dhe MZSH kanë intensifikuar luftën me zjarrin në terren, si pasojë e erërave të forta që kanë ngacmuar flakët. Fatmirësisht zjarri ndodhet larg zonave të banuara. Efektivët tanë do të vijojnë angazhimin e tyre gjatë gjithë natës, nën monitorimin dhe orientimin e dronëve,” – shkroi ministri Vengu.
Ndërkohë, në Shalës situata paraqitet kritike, pasi flakët janë vetëm 500 metra larg banesave të para, ndërsa në terren janë angazhuar tre automjete zjarrfikëse.
Problematike mbetet edhe fshati Sasaj, ku era po ndihmon përhapjen e zjarrit, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve. Strukturat e emergjencës po vijojnë punën në kushte të vështira për të mos lejuar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
https://www.facebook.com/share/1CTYCi3VZ1/?mibextid=wwXIfr