Lapaj nuk tërhiqet nga beteja për mandatin, “Shqipëria Bëhet” kërkon në KAS anulimin e vendimit të KQZ dhe njohjen e dorëheqjeve
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka dorëzuar një ankesë zyrtare në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili i dha mandatin e deputetit në Qarkun Tiranë kandidates Kleana Xhuveli.
Nëse ky vendim do të rrëzohej, rruga do t’i hapej Adriatik Lapajt – drejtuesit të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në zgjedhjet e 11 majit – për të marrë mandatin.
Sipas përfaqësuesve të “Shqipëria Bëhet”, vendimi i KQZ-së është i pavlefshëm, pasi kandidatët në listën e mbyllur për Tiranën, përfshirë edhe Xhuvelin, kishin dorëzuar më herët dorëheqje nga kandidimi – përpara nisjes së procesit të numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në ankimimin e paraqitur në KAS, lëvizja kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së dhe njohjen formale të dorëheqjeve të dorëzuara.
Sipas argumenteve ligjore të paraqitura nga “Shqipëria Bëhet”, në rrethanat e krijuara, KQZ duhej të kishte shpërndarë mandatin sipas radhës së listës, duke respektuar njëkohësisht ligjshmërinë dhe vullnetin e qartë të kandidatëve për të mos qenë pjesë e garës.