Tue, Jul 29, 2025

Presidenti Duka vizitë historike në Bujanoc në kuadër të turneut të futbollit në Luginën e Preshevës

  • PublishedJuly 28, 2025

Presidenti Duka vizitë historike në Bujanoc në kuadër të turneut të futbollit në Luginën e Preshevës

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një vizitë historike në komunën e Bujanocit, në kuadër të turneut të futbollit për fëmijë që po zhvillohet në Luginën e Preshevës me mbështetjen e FSHF-së.

Në këtë vizitë, Presidenti Duka u shoqërua nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj. Ata u pritën në një takim miqësor nga kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të klubeve shqiptare “Tërnoci” dhe “Besa”, si dhe përfaqësues të medias lokale.

Gjatë takimit, Presidenti Duka u njoh nga afër me situatën aktuale të futbollit në këtë zonë, si dhe me nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të tij. U kërkua mbështetje nga FSHF për rritjen e kapaciteteve në formimin e trajnerëve dhe furnizimin me bazë materiale për klubet, ndërsa një nga temat kryesore ishte përmirësimi i infrastrukturës sportive në këtë komunitet.

Presidenti Duka konfirmoi angazhimin e FSHF-së për të vijuar me mbështetjen ndaj turneve të ngjashme në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që kanë këto nisma për aktivizimin e fëmijëve dhe zhvillimin e futbollit në nivel komunitar.

Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, falënderoi FSHF-në për kontributin konkret në organizimin e këtij aktiviteti, duke e cilësuar si një nismë me vlera të mëdha sportive dhe shoqërore që forcon bashkëpunimin dhe frymën e unitetit përmes sportit.

Në takim u përmend edhe figura e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, me origjinë nga Tërnoci, i cili është një shembull frymëzimi për fëmijët e Luginës së Preshevës që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e sportit.


AlbaniaWeb.net