Radhë kilometrike në pikën kufitare të Vërmicës, kamionët e mallrave nga Shqipëria presin për të hyrë në Kosovë
Radhë kilometrike kamionësh të tonazhit të rëndë janë regjistruar sot në pikën kufitare të Vërmicës, në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Mjetet e rënda, të ngarkuara me mallra, janë të parkuara në dy kolona të gjata, duke pritur për të hyrë në territorin e Kosovës.
Radhët nisin nga fshati Bardhoc dhe shtrihen deri në hyrje të doganës së Vërmicës. Shkak për këtë situatë është masa e ndalimit të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë, e cila ka qenë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:00 çdo ditë, sipas vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës.
Kjo masë u mor për të mbrojtur infrastrukturën rrugore nga dëmet që mund të shkaktohen për shkak të temperaturave ekstremisht të larta gjatë muajit korrik.
Sot ishte dita e fundit të këtij kufizimi, që ishte i vlefshëm për autostradat dhe rrugët rajonale në gjithë territorin e Kosovës, gjatë 15 ditëve të fundit të muajit.