Vdekja e 52-vjeçares në Pogradec po hetohet si vrasje! Zjarri dyshohet i qëllimshëm, janë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe disa persona janë shoqëruar
Ngjarja tragjike në lagjen nr. 1 të Pogradecit, ku 52-vjeçarja Kozeta Teço u gjet e pajetë në banesën e saj të përfshirë nga flakët, ka marrë një kthesë të fortë hetimore: dyshohet se bëhet fjalë për vrasje të qëllimshme.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se zjarri dyshohet të jetë vendosur me qëllim për të fshehur krimin. Ekspertiza paraprake mjeko-ligjore ka zbuluar shenja të jashtme dhune në trupin e viktimës, duke ngritur dyshime të forta se ajo është vrarë përpara se të digjej banesa.
Sipas hetimeve të deritanishme, një nga pistat kryesore është ajo e një konflikti për motive pronësie.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të dy objekteve pranë pallatit ku ndodhej apartamenti i viktimës dhe po analizon të dhënat e regjistruara.
Ndërkohë, disa persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Pogradecit dhe po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes që tronditi qytetin.