Tue, Jul 29, 2025

Dëshmia e Gentian Sulës në SPAK: Kontrata për 220 mijë euro ishte fiktive, e nënshkrova si favor për Ajola Xoxën

  • PublishedJuly 29, 2025

Dëshmia e Gentian Sulës në SPAK: Kontrata për 220 mijë euro ishte fiktive, e nënshkrova si favor për Ajola Xoxën

Biznesmeni Gentian Sula, i përfshirë në hetimet e SPAK për një kontratë kapari prej 220 mijë eurosh me Ajola Xoxën, ka dëshmuar sërish më 5 qershor 2025, duke e quajtur marrëveshjen një veprim formal pa bazë reale. Ai deklaroi se kontrata nuk përfaqëson një marrëdhënie të vërtetë shitblerjeje dhe u nënshkrua vetëm si një favor për Xoxën.

Në dëshminë e tij, Sula theksoi se më 9 janar kishte dhënë një version të paqartë për shkak të tronditjes dhe mungesës së qartësisë ligjore, duke “improvizuar” në deklaratat e mëparshme. “Kam reflektuar për gjithçka dhe dua të bashkëpunoj me drejtësinë. Nuk kam asnjë lidhje me veprimtari të jashtëligjshme,” u shpreh ai.

I pyetur për shumën e madhe në cash të gjetur më 6 dhjetor 2024 në ambientet e shoqërisë “Partners Law” sh.p.k., Sula e mohoi kategorikisht se kishte porositur apo paguar ndonjëherë atë shumë, duke shtuar se nuk kishte dijeni për përdorimin e kontratës në institucionet ligjore.

Ai theksoi se kontrata ishte përpiluar nga Ajola Xoxa dhe se e kishte firmosur pa i kërkuar shpjegime të mëtejshme, për shkak të njohjes që kishte me të dhe mungesës së informacionit mbi problemet e saj ligjore.

Dosja hetimore përfshin edhe sqarimin se kontrata e datës 4 dhjetor 2024, për blerjen e një pasurie në rrugën “Brigada VIII”, nuk reflektonte një marrëveshje reale dhe nuk kishte pasur ndonjë pagesë apo transaksion mes palëve. SPAK vijon hetimet për të zbardhur plotësisht përdorimin dhe qëllimin e kësaj kontrate.