Do të prezantojë planin e paqes për Gazën, kryeministri britanik thërret mbledhje urgjente të kabinetit qeveritar
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, do të paraqesë një plan të ri paqeje për Gazën dhe masa për ndihmë humanitare gjatë një takimi urgjent të kabinetit që do të mbahet sot, pas paralajmërimeve në rritje për zi buke në Gaza.
Sipas Downing Street, ky plan iu prezantua ish-presidentit amerikan Donald Trump të hënën gjatë takimit në Skoci. Plani përqendrohet në mbështetjen e civilëve në Gaza dhe në nxitjen e një armëpushimi midis Hamasit dhe Izraelit.
Zëdhënësi i kryeministrit deklaroi se propozimet britanike do t’u prezantohen edhe aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë vendet arabe, gjatë ditëve në vijim. Starmer thuhet se ka propozuar një “koalicion ndërkombëtar të të vullnetshmëve”, i ngjashëm me atë që po diskutohet për Ukrainën.
Nisja e kësaj nisme vjen ndërsa presioni ndaj qeverisë britanike është rritur, si nga aktorë ndërkombëtarë ashtu edhe brenda vendit, për të njohur menjëherë një shtet palestinez.
Edhe pse Dhoma e Komunave është në pushim veror, Starmer ka urdhëruar kabinetin të rikthehet në Westminster për t’u fokusuar te kriza në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, SHBA dhe Izraeli kanë tërhequr delegacionet e tyre nga bisedimet në Katar. Trump akuzoi Hamasin se “nuk dëshiron vërtet një marrëveshje”, ndërsa Izraeli deklaroi se do të shqyrtojë “zgjidhje alternative” për lirimin e pengjeve.
Sipas Downing Street, Mbretëria e Bashkuar po punon ngushtësisht me Francën dhe Gjermaninë për një plan të përbashkët, që synon “lehtësim të menjëhershëm për të prekurit” dhe krijimin e një rruge të qëndrueshme drejt zgjidhjes me dy shtete.
Megjithatë, prioriteti i menjëhershëm, siç tha edhe Trump pas takimit me Starmer, është ndihma humanitare. “Para se të kalojmë në fazën tjetër, duhet të ushqejmë fëmijët,” theksoi ai.