Wed, Jul 30, 2025

Gjykata Kushtetuese i vë kufij praktikës së sekuestrimit të telefonit nga SPAK

  • PublishedJuly 29, 2025
Gjykata Kushtetuese i vë kufij praktikës së sekuestrimit të telefonit nga SPAK

Gjykata Kushtetuese njoftoi më 29 korrik se kishte konstatuar cënim të lirisë dhe fshehtësisë së korrespondencës në praktikën e ndjekur nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, në sekuestrimin e një telefoni celular dhe urdhëroi asgjësimin e kopjeve të korrespondencës dhe të dhënave personale që nuk lidhen me objektin e hetimit penal.

Vendimi u mor mbi bazën e kërkesës së Onejda Ymerajt, një drejtuese në Spitalin Amerikan në Tiranë, ndërkohë që efektet e tij pritet të shtrihen më gjerësisht në praktikën e ndjekur nga SPAK për sekuestrimin dhe këqyrjen e telefonave celularë në lidhje me dyshime apo çështje të ndryshme penale.

Në ankimin e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Ymeraj pretendon se asaj i është sekuestruar telefoni celular pa qenë subjekt i ndonjë procedimi penal. Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkimet e Ymerajt, duke i dhënë të drejtë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe fshehtësisë së korrespondencës në këndvështrim të nenit 35 të Kushtetutës.

Gjykata vlerëson se ndërhryja në të drejtat e kërkueses është bërë me ligj, megjithatë është ndalur të kryejë analizën e testit të proporcionalitetit të saj.

Neni 36 i Kushtetuës përcakton se liria dhe fshehtësia e korrespondencës ose e çdo mjeti tjetër të komunikimit janë të garantuara. Gjykata fillimisht ka vlerësuar se në konceptin kushtetues të korrespondencës përfshihen edhe komunikimet elektronike. Po ashtu, është çmuar se nga përmbajtja e neneve 36 dhe 35 të Kushtetutës, liria dhe fshehtësia  e korrespondencës dhe e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale janë të garantuara në nivel kushtetues dhe se garancitë mbrojtëse nga arbitratiteti i autoriteve publike gjatë procesit penal detajohen në Kodin e Procedurës Penale.

Në interpretimin e tyre, gjykata sqaron se ka mbajtur parasysh edhe garancitë sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese kujton në vendim se Kodi i Procedurës Penale parashikon si garanci procedurale se sekuestrimi i korrespondencës, në çdo rast, duhet të jetë me vendim gjyqësor, i cili, si rregull, është paraprak. Sipas vendimit, në raste përjashtuese, kur ka kushte urgjence, korrespondenca mund të sekuestrohet edhe nga Policia Gjyqësore, e cila duhet të garantojë fshehtësinë e saj dhe se sekuestrimi duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor me prioritet, në një kohë të shpejtë.

Në vijim, vlerësohet se, në çdo rast, vendimi i gjykatës për sekuestrimin e korrespondencës nuk duhet të përcaktojë objektin e sekuestrimit me terma të gjera. Po ashtu, vërehet se sekuestrimi i një pajisjeje elektronike që përmban korrespondencë ose të dhëna personale, përbën jo vetëm sekuestrimin e pajisjes, por edhe të korrespondencës.

Gjykata Kushtetuese është ndalur për të përcaktuar edhe mënyrën e aksesimit të të dhënave në pajisjen elektronike apo të korespodencës, kur ajo është sekuestruar në kushtet e urgjencës. Në vendimarrje theksohet se hapja apo hyrja në këto të dhëna duhet të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare, të cilat përfshijnë ndalimin e veprimeve të hyrjes, hapjes, nxjerrjes, inspektimit, përpunimit të të dhënave personale dhe të korrespondencës; mbylljen e pajisjes në të cilën ndodhet korrespondenca apo të dhënat personale me vulë sigurie, kur është e mundur në prani të individit ose avokatit të tij, si dhe duke u mbajtur procesverbal për këtë qëllim; si dhe ndalimin e bërjes së kopjeve të të dhënave personale ose korrespondencës, pa marrë më parë autorizim nga gjykata.

Po ashtu, është vlerësuar se këto garanci vlejnë në të njëjtën mënyrë edhe në rastin e sekuestrimit të të dhënave personale, në kuptim të nenit 35 të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese urdhëron asgjësimin e kopjeve të korrespondencës dhe të dhënave personale të nxjerra nga celulari i kërkueses që nuk lidhen me hetimin penal, por nga ana tjetër lejon vijimin e mbajtjes në sekuestro të kopjeve të korrespondencës dhe të të dhënave personale që lidhen me atë hetim, duke ia nënshtruar kontrollit gjyqësor. Gjithashtu, është urdhëruar zbatimi i garancive procedurale për vijimin e mbajtjes nën sekuestro të celularit dhe është ngarkuar SPAK për ekzekutimin e këtij vendimi brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij, duke respektuar gjithë garancitë procedurale sipas arsyetimit.

Vendimi u mor unanimisht nga të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.