Tue, Jul 29, 2025

Jashari-Milan kthehet në telenovelë, belgët refuzojnë ofertën e radhës

  • PublishedJuly 29, 2025

Jashari-Milan kthehet në telenovelë, belgët refuzojnë ofertën e radhës

Jashari-Milan është kthyer në një telenovelë turke me shumë seri. Nga njëra anë është Milan që e kërkon me çdo kusht për të kompletuar mesfushën, nga ana tjetër është Bruges që nuk e lëshon pa marrë 40 milionë euro. Në mes është 22-vjeçari i cili ka vetëm një dëshirë, t’i bashkohet Igli Tares në Milano. Talenti me origjinë shqiptar po bën gjithçka për të realizuar këtë ëndërr, madje mungoi edhe në sfidën e parë në kampionat ku ekipi i tij triumfoi 2-1 përballë Genk.

Nga Belgjika vjen një lajm i hidhur për tifozët e “djallit”, me drejtuesit e Bruges që kanë refuzuar edhe ofertën e fundit zyrtare të paraqitur nga Tare, 33,5 milionë euro, plus bonuset që e dërgojnë në 38. Në fakt, mungon një refuzim zyrtar nga ana e ekipit belg, me këta të fundit që po ndjekin një strategji të qartë, po fitojnë kohë në pritje edhe të ofertave nga Premier League, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga shitja e kartonit.

Milan dhe Tares nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të presin dhe të mbajnë të gjallë këtë pistë për sa kohë të jetë e mundur. Në pritje për të kuptuar se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij, Jashari ka fluturuar drejt Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në dasmën e vëllait.

Sigurisht, Milan nuk mund të pres pafund Jasharin, për këtë arsye Igli Tare po përpilon edhe planin B. Nëse dështon përfundimisht pista Jashari, Tare do të përpiqet të transferojë në Milano, Javi Guerra, mesfushorin e Valencias. AS zbulon se Tare e ka mbajtur të ndezur këtë opsion, me mesfushorin që ka një kontratë me Valencian deri në 2027, por as klubi spanjoll nuk ka ndërmend ta lëshojë aq lehtësisht pasi kërkon 25 milionë euro për kartonin e tij.

()


AlbaniaWeb.net