Kapet në Rinas me pasaportë greke të falsifikuar, arrestohet 41-vjeçari gjeorgjian
Një 41-vjeçar nga Gjeorgjia është arrestuar nga Policia Kufitare në Aeroportin e Rinasit, pasi tentoi të udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar me një pasaportë të falsifikuar greke.
Sipas burimeve zyrtare, shtetasi G. Z. u paraqit fillimisht në sportelin e Policisë me dokumentet e tij të identitetit gjeorgjian dhe një biletë për në Budapest. Megjithatë, pak më vonë ai u kap në një portë tjetër imbarkimi, teksa përgatitej të hipte në një fluturim me destinacion Mançesterin, këtë herë me një pasaportë greke false dhe një kartë imbarkimi që përputhej me të dhënat e rreme.
Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan dokumentin e falsifikuar. Ekspertiza paraprake vërtetoi se pasaporta greke ishte false.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet britanike, të cilat kishin dhënë informacion paraprak mbi rastin.
41-vjeçari është arrestuar nën akuzën për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve dhe vizave”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.