Monika Kryemadhi pas daljes nga SPAK: Nuk jam dakord me akuzën! Nëna ime u quajt “pastruese” se bleu shtëpinë e vet
Monika Kryemadhi u paraqit sot në ambientet e SPAK për t’u njohur me akuzat që i janë ngritur zyrtarisht. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, ajo foli për mediat, duke theksuar se nuk e pranon akuzën dhe se do ndjekë të gjitha hapat ligjorë për t’iu kundërpërgjigjur.
“Firmosëm që nuk jemi dakord me akuzën. Do ndjekim të gjitha procedurat që parashikon ligji. Ky është një proces që kërkon durim strategjik, duhet marrë me qetësi. Shëndeti ka shumë rëndësi në këtë mes,” u shpreh Kryemadhi.
Duke komentuar përfshirjen e nënës së saj në dosjen e akuzës, Kryemadhi ironizoi SPAK-un:
“E kanë quajtur mamanë time ‘pastruese’, sepse më paska ndihmuar mua për të ‘pastruar veprën penale’. Mamaja ime ka blerë shtëpinë e vet dhe tani pretendohet se i ka blerë me para që i paskam dhënë unë.”
Ish-kryetarja e LSI-së hodhi poshtë gjithashtu përmbajtjen e fashikujve të hetimit, duke i cilësuar si materiale të marra nga portale dhe pa vlerë ligjore.
“Nuk kanë bërë gati as fashikujt. Kanë marrë artikuj nga portale dhe i kanë futur në fashikuj. Aty gjen karta bankare me blerje sanduiçesh, kafesh, gjëra të tilla. Unë kam analizë financiare, 8000 faqe. Edhe nëna ime po ashtu,” tha ajo.
Kryemadhi u shpreh e bindur se do ta përballojë procesin me qetësi dhe vendosmëri.