U kap në video duke konsumuar kokainë, efektivi përjashtohet nga Policia! Ishte nën masë disiplinore për sjellje jokorrekte
Policia e Shtetit ka përjashtuar nga radhët e saj inspektorin Xh. T., efektiv i Komisariatit të Policisë Lezhë, pasi u publikua një video ku ai dyshohet se konsumon lëndë narkotike.
Sipas njoftimit zyrtar, Xh. T. ishte në hetim disiplinor dhe nën masë pezullimi prej muajsh për mosmbajtje të rregullt të uniformës dhe sjellje jokorrekte ndaj eprorëve. Për më tepër, ai ishte në proces verifikimi për mungesa të pajustifikuara në detyrë.
Vendimi për përjashtimin nga Policia u mor më 3 korrik 2025 nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, dhe u konfirmua më 25 korrik edhe nga Komisioni i Apelimit. Efektivi kishte të drejtë ankese, por vendimi mbeti në fuqi.
Ndërkohë, pas publikimit të videos ku ai shfaqet duke konsumuar kokainë, janë nisur verifikime shtesë nga AMP dhe Policia e Shtetit. Materialet pritet të referohen në Prokurori për hetim penal.
Policia e Shtetit thekson se është e vendosur të largojë çdo punonjës që shkel ligjin apo cenon besimin e qytetarëve.
Njoftimi i policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, më datë 28.07.2025, në të cilën shfaqet një punonjës policie, i cili nga pamjet dyshohet duke konsumuar lëndë narkotike, dhe me pretendimin se Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë nuk ka reaguar, sqarojmë opinionin publik se:
Shtetasi i shfaqur në video është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, sqarojmë se punonjësi i Policisë Xh. T., para dhënies së masës “Përjashtim nga Policia”, ka qenë në efektin e masës disiplinore “Shtyrje e afatit të gradimit për 3 muaj”, dhënë me vendim nr. 29, datë 24.04.2025, për mosmbajtje të rregullt të uniformës së Policisë dhe sjellje jokorrekte ndaj eprorëve.
Po ashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pasur në proces shqyrtimi/verifikimi dhe hetimi disiplinor punonjësin e Policisë, Inspektor Xh. T., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Seksionin e Rendit, Komisariati i Policisë Lezhë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121 “Llojet e shkeljeve disiplinore”, pika 1, gërma “j”, “Braktisja e detyrës dhe mungesa e pajustifikuar dhe e vijueshme për një periudhë prej 7 ditësh pune ose më shumë”, dhe me vendim nr. 127, datë 03.07.2025, të Komisionit Disiplinor në Drejtorinë e Standardeve Profesionale, i është dhënë masa disiplinore “Përjashtim nga Policia”, parashikuar nga neni 123, gërma “e”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.
Bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, punonjësi i Policisë gëzonte të drejtën për ta ankimuar vendimin në Komisionin e Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i cili më datë 25.07.2025, ka lënë në fuqi masën “Përjashtim nga Policia” për punonjësin e Policisë Inspektor Xh. T., të marrë me vendim nr. 127, datë 03.07.2025, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Pas publikimit të videos ku shfaqet punonjësi i Policisë Xh. T., i cili dyshohet se konsumon lëndë narkotike kokainë, nga ana e strukturave përgjegjëse të AMP-së dhe të Policisë së Shtetit, po kryhen verifikime të tjera, në funksion të të cilave do të referohen materialet në Prokurori, për ndjekje të mëtejshme procedurale.
Policia e Shtetit është e vendosur të largojë nga radhët e saj çdo punonjës policie që nuk përmbush detyrën, abuzon me atributet e punonjësit të Policisë së Shtetit dhe cenon imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.