Andia Ulliri nuk rikthehet në Kuvend, KAS i jep mandatin ish-prokurorit Arjan Ndoji
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri, nuk do të rikthehet në Kuvend. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesën e saj ankimore, duke lënë në fuqi vendimin për dhënien e mandatit të deputetit ish-prokurorit Arjan Ndoji, kandidat i koalicionit PD-ASHM në qarkun Durrës.
Ulliri, e cila ishte pjesë e legjislaturës së mëparshme, kërkonte të rikthehej në Parlament pas zgjedhjeve të 11 majit, por KAS e rrëzoi pretendimin e saj.
“Lidhur me kërkesën e paraqitur nga Andia Ulliri, kandidate e subjektit zgjedhor PD-ASHM, KAS vendosi: rrëzimin e kërkesës ankimore të znj. Ulliri dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionerit për caktimin e kandidatit fitues në qarkun Durrës”, thuhet në dispozitivin e vendimit të shpallur sot.
