Kremlini reagon pas paralajmërimeve të Trump: Rusia ka zhvilluar “imunitet” ndaj sanksioneve
Pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë nëse kjo e fundit nuk ndalon luftën në Ukrainë, Kremlini ka reaguar duke minimizuar efektin e këtyre masave.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi se Rusia ka kaluar një periudhë të gjatë nën sanksione dhe është mësuar me kufizimet ekonomike që ato sjellin.
“Rusia ka zhvilluar një ‘imunitet’ ndaj këtyre masave dhe ne ndjekim me vëmendje deklaratat e presidentit Trump dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë,” u shpreh Peskov.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ironizoi paralajmërimet e Trump, duke i cilësuar si “rutinë e zakonshme” nga Perëndimi.
“Është e habitshme që SHBA dhe aleatët e saj nuk e kanë kuptuar ende se këto masa nuk funksionojnë. Ato vetëm sa dëmtojnë ekonomitë perëndimore,” tha ajo në një konferencë për media në Moskë.
Trump kishte paralajmëruar se nëse lufta në Ukrainë nuk ndalet brenda dhjetë ditëve, Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa dhe sanksione të reja kundër Moskës – një hap që synon intensifikimin e presionit ndërkombëtar mbi Rusinë.